“Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane”; Yuri Kim, i dorëzoi letrat kredenciale presidentit Meta
Presidenti Ilir Meta nxjerr videon e takimit me ambasadoren e re amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, e cila i dorëzoi letrat kredenciale, për marrjen e detyrës.
“I kënaqur të prisja dhe të pranoja Letrat Kredenciale të Ambasadores së re të SHBA, znj.Yuri Kim. SHBA një partner strategjik, i pazëvendësueshëm për Shqipërinë”, shkruan Meta.
Ai shton se së bashku mund të përballohen me sukses sfidat që ka vendi.
“Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane”, thotë ndër të tjera kreu i shtetit.
Ambasadorja e re e SHBA në Tiranë, Yuri Kim i dorëzoi Presidentit Ilir Meta letrat kredenciale. Ajo shoqërohej në këtë takim, nga e dërguara me punë e SHBA, Leyla Moses-Ones.
Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.
Ajo ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore, ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.
Fraksion.com