AktualitetTë fundit

VOA: Përmirësohet Etika në media

Përfaqësues të organizatave, që monitojnë ecurinë e medias në Shqipëri, raportojnë disa probleme në lidhje me etikën, të dhënat personale dhe të drejtat themelore të njeriut. Më të pambrojturit, sipas disa studimeve, janë fëmijët. Analizat dhe vëzhgimet në këtë fushë konstatojnë, se mediat fokusohen më shumë tek viktima, se tek zgjidhja, dhe se vetëm në 2% të rasteve i kushtohet rëndësi zgjidhjes, sipas Observatorit për të drejtat e fëmijëve të rinjve. Autoriteti i mediave Audiviziove dhe Komisioneri për të dhënat personale dy institucionet që trajtojnë ankesat, vërjenë se gjatë viteve të fundit ka përmirësime të dukshme gjatë raportimeve në media në lidhje me këto probleme.

Mediat në Shqipëri, sipas monitorimeve të organizatave që trajtojnë ecurinë e saj, vihet re të ketë disa probleme kur bëhet fjalë për respektimin e etikës dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Këshilli shqiptar i medias pas një monitorimi të 30 mediave on line, por edhe të faqeve on line të disa televzioneve, vëren se vetëm në një ditë kryhen 8-9 shkelje të etikës. Studiuesja medias dhe e komunikimit, Valbona Sulçe thotë se fëmijët vazhdojnë të jenë më të prekurit nga raportimet në media.

“Fëmijët janë të pambrojtur nga raportimi i të dhënave personale, sidomos kur bëhet fjalë për abuzimet seksuale. Në kodin e transmetimit theksohet në mënyrë të prerë, ndalohet transmetimi i të dhënave personale, për të gjithë fëmijët, të cilët kanë qenë viktima ose dëshmitarë të një rasti abuziv seksual”, thotë Valbona Sulçe, studiuese e medias dhe komunikimit.

“Observatori për të drejtat e fëmijëve dhe tw rinjve ”, pas një studimi konstatojnë se në 40% të rasteve në media jepen të dhëna të tërthorta në lidhje me fëmijët viktima të dhunës apo abuzimeve seksuale, duke bërë që të dhënat personale të tyre të zbulohen lehtësisht.

“Kemi qenë dëshmitarë të ngjarjeve të ndryshme, ku fëmija jo vetëm ka pësuar dhunë në momentin kur ka ndodhur kjo ngjarje, por dhunën më të madhe e ka marrë me pas nga opinion publik, nga mënyra se si media e ka bërë lajm këtë informacion. Kemi arritur dhe deri në momentin kur familja vendosi të braktisë vendin bashkë më fëmijën, pikërisht për të shpëtuar jetën e fëmijës, që ishte në një kaos pas identifikimit”, shprehet Elma Tërshana Drejtore e Observatorit për të drejtat e fëmijëve dhe rinisë.

Zonja Tërshana thotë se gjatë një monitorimi u vu re se vetëm në 2% të rasteve media fokusohet në zgjidhje. Edhe studiuesja e medias dhe komunikimit Valbona Sulce mendon se një prej prboleme kryesore të raportimit në media është fokusimi tek viktima dhe jo tek zgjidhja e problemit.

“Në momentin që ne fokusohemi tek viktima i japim shumë hapësirë intepretimeve të opinionit publik dhe të asaj se kush e kishte fajin në një marrëdhënie abuzive. Dhe kjo vetëm sa e shpërndan fajin dhe nuk i bie në kokë problemit dhe shkaqeve”, vijon Valbona Sulçe, studiuese e medias dhe komunikimit.

Sipas Këshillit Shqiptar të Medias probleme vihen re edhe në raportimin e proçedurave gjyqësore dhe prezumimin e pafajësisë. Ndërsa gjuha e urrejtjes sipas Koloreto Cukalit vjen e kamufluar

“Pra gjuha e urrejtjes u lihet komentuesve, por ndonjëherë janë shumë të dukshme përpjekjet e medias vetë për të provokuar, nga mënyra se si e formulojnë dhe se si e hedhin lajmin. Dhe për faktin se si i moderojnë kryesisht komentet që shkojnë në favor të axhendës së tyre politike, sepse kjo e përmbledhur e gjitha është dhe pjesë e axhendave ekonomike apo politike që ka një pjesë e medias”, shprehet Koloreto Cukali, Kryetar i Këshillit shqiptar të medias.

Autoriteti i mediave audiovizive është institucioni tek i cili sipas ligjit mund të adresohet një ankesë për shkelje të etikës. Anëtar i Këshilli i ankesave ngritur tre vjet me parë, Urim Bajrami thotë se në pjesën më të madhe shkeljet në përmbajtjen audiovizove lidhen me shkeljet e etikes, të se drejtës së fëmijëve, të privacisë, të identifikimit të tyre si dhe shkelje të të drejtave themelore të njeriut. Por pertej problemeve thotë ai ka përmirësime.

“Nga viti në vit, nga viti 2016 dhe tani që po flasim ankesat për shkelje të etikës kanë ardhur në rënie. Për fat të mirë edhe reagimi i operatorëve audiovizivë ka qenë pozitiv. Në çdo rast që ne u kemi tërhequr vëmendjen, ka patur një reagim pozitiv. Dhe më vjen mirë të pohoj, që kjo po vjen duke u përmirësuar shkallë, shkallë. Sigurisht ne jëmi pjesë e një shoqërie, e cila do të duhet kohë për të zhvilluar kulturën e respektimit të etikës, megjithatë ky është një zhvillim pozitiv”, shprehet Urim Bajrami, anëtar Këshillit të ankesave në AMA.

Por përfaqësues të shoqërisëcivile janë kritikë me këtë institucion që vihet në lëvizje sipas ligjit pas një ankese. Por Zoti Bajrami thotë se ndërhyhet edhe kur nga monitoruesit në AMA konstatohen shkelje dhe se masat ndëshkuese janë gjoba nga 40 mijë deri në 4 milion.

“Në momentin e parë ne vihemi në lëvizje kur vjen një ankesë. Por dhe në organizimin e brendshëm që kemi vetë si njësi brenda AMA-s sigurisht që vihemi në dijeni për ndonjë shkelje edhe nga monitorimi që kryhet nga drejtoria e mbikqyrjes. Sigurisht që kemi shumë materiale për vizionim, dhe në fund dalim me konkluzione përkatëse”, thotë Urim Bajrami anëtar Këshillit të ankesave në AMA.

Komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale thotë se janë vërejtur disa raste shkeljesh në raportimet gjyqësore dhe prezumimin e pafajësisë. Ai thotë se bashkëpunimi me median ka qenë efektiv dhe se përmirësimet janë të dukshme.

“Duhet të them se media ka bërë hapa të rëndësishëm para përsa i përket dhe mbrojtjes të të dhënave personale. Natyrisht që ka shumë për të bërë, por nuk jemi në stadin fillestar, kur askush nga mediat dhe gazetarët nuk ja kishte idenë se çfarë është mbrojtja e të dhenave personale”, shprehet Besnik Dervishi Komisioner për mbrojtjen e të dhenave personale.

Media në Shqipëri vazhdon të jetë në një përpjekje të vazhdueshme për të mos cënuar gjatë raportimin, as lirinë e saj dhe as atë të qytetarit, që ka të drejtë të jetë i mbrojtur nga abuzimet. Gjithnjë e më shumë organizatat e gazetarëve dhe të shoqërisë civile që mbrojnë të drejtat e njeriut, nënizojnë me forcë se raportimi etik nuk është një favor që i bëhet qytetarit, por profesionit të gazetarit.

 

Fraksion.com