“Reforma Zgjedhore”; Bylykbashi: Opozita me propozime konkrete
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në tryezën e reformës zgjedhore, Oerd Bylykbashi deklaroi se opozita vjen me propozime konkrete.
Ai tha se ajo që ka rëndësi të thuhet është se dokumenti i sotëm përfshin të gjitha çështjet që janë ngritur politikisht në Këshillin Politik, ku do të përfshihen, çështja e shitblerjes së votës, ndarjes së politikës nga krimi, probleme të rënda zgjedhore që ndryshojnë dhe manipulojnë votën e shqiptarëve; çështja e sistemit zgjedhor.
“Ajo që ka rëndësi është se me këtë dokument të sotëm dhe metodologjinë që ai përfshin, i hapet puna rrugës konkrete për të diskutuar dhe miratuar propozime për Reformën Zgjedhore. Opozita është e angazhuar maksimalisht për të ecur me shpejtësi me drafte, me propozime konkrete, duke marrë në konsideratë punën që është bërë gjatë gjithë kësaj periudhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore që në kohën kur opozita ishte palë e atij Komisioni”, u shpreh Bylykbashi.
Reforma zgjedhore duhet të mbyllet brenda datës 15 mars 2020 dhe thuhet se koha e shkurtër bën të domosdoshme që çështjet për debat të vendosen në rend prioritar me afate të qarta, referuar rekomandimeve të ODHIR.
Në metodologjinë e miratuar përcaktohet se deri në 10 shkurt diskutohen krimet zgjedhore dhe dekriminalizimi.
-Deri në 15 shkurt diskutohet financimi i fushatave dhe partive
-Deri në 5 shkurt diskutohen propozimet për listat e zgjedhësve
-Deri në 15 shkurt diskutime për burimet shtetërore gjatë zgjedhjeve
-Deri në 15 shkurt diskutohen propozimet për rolin e mediave në fushatë
-Deri në 1 mars diskutime për depolitizimin e administratës zgjedhore
-Deri në 25 shkurt propozime për sistemin e ankimimeve
-Deri më 10 mars, propozime për sistemin zgjedhir
-Deri më 1 mars, propozime për votimin nga jashtë vendit
-Deri më 3 shkurt, çështje që lidhen me barazinë gjinore, regjistrimin e subjekteve, periudhën zgjedhore
-Deri më 15 mars, çështje të tjera teknike që reflektojnë ndryshimet e imponuara nga pikat e mësipërme
Fraksion.com