Rama: Ndihma e Gjermanisë lehtësuese për popullin shqiptar në ato momente tragjike
Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp në Berlin me Kancelaren Angela Merkel, vlerësoi sot ndihmën dhe solidaritetin e Gjermanisë, që në sekondat e para pas tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 nëntor.
“Shumë faleminderit Kancelare, jam shumë mirënjohës që ju gjetët kohën për këtë takim, ku kam ardhur enkas për të diskutuar në radhë të parë për Konferencën e Donatorëve dhe nevojën e madhe që Shqipëria ka për të gjetur mbështetjen e gjithë miqve dhe partnerëve në procesin e vështirë të rindërtimit, i cili duke u bazuar në raportin e dëmeve hartuar në bashkëpunim me Bashkimin Europian, Kombet e Bashkuara dhe Bankën Botërore përmban një shumë që është përtej të gjitha mundësive tona për ta përballuar të vetëm”, tha Rama.
Kryeministri falënderoi Kancelaren Merkel me mirënjohje për solidaritetin e treguar qysh në sekondat e para dhe për interesimin e saj, ashtu sikundër dhe përfshirjen e të gjitha strukturave të ndihmës së parë edhe nga Gjermania si dhe nga vendet e rajonit, por edhe më gjerë.
Rama tha se “kjo ndihmë ka qenë jashtëzakonisht lehtësuese për popullin shqiptar në ato momente tragjike”.
Kryeministri theksoi po ashtu faktin se në takim u diskutua edhe për perspektivën e integrimit europian të Shqipërisë dhe për bashkëpunimin rajonal.
“Më vjen shumë mirë të diskutojmë edhe për perspektivën e integrimit europian të Shqipërisë dhe për bashkëpunimin rajonal, ku roli i Gjermanisë dhe roli juaj personalisht ka qenë i jashtëzakonshëm në hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi me procesin e Berlinit, që ka nevojë për t’u çuar më tutje”, tha Rama.
Në përfundim, Kryeministri shprehu të gjithë konsideratën për mënyrën se si ka nisur puna e Komisionit të ri Europian. “Është shumë e rëndësishme ajo që ju nënvizuat, një dimension më i qartë edhe gjeopolitik, përveçse se dimensionit tradicional teknik të Komisionit, do të jetë një ndihmë e madhe për ne dhe për të gjithë rajonin”, iu drejtua Rama, Kancelares Merkel.
Fraksion.com