AktualitetBota+Të fundit

Pornografi me të mitur; Si ra në prangat e policisë i riu që ngacmonte fëmijë në Amerikë

Një i ri është vënë në pranga pasi dyshohet se bënin pornografi me të mitur nëpërmjet rrjeteve sociale.

I dyshuari është identifikuar me inicialet D. Dh., 26 vjeç, banues në Fier, i cili akuzohet për veprën penale “Pornografia me të mitur”. Dy të tjerë të moshave 22 e 25 vjeç, banues në Tiranë e Fier janë proceduar në gjendje të lirë.

Ata u kapën pas një hetimi 1 vjeçar, i koduar si operacioni policor “E-TRACE”, për goditjen e krimeve kompjuterike.

Materiali kallëzues kishte të bënte me dy profile në rrjetin social Facebook, nëpërmjet të cilëve janë prodhuar e dërguar imazhe të turpshme dhe imazhe të shfrytëzimit të fëmijëve të mitur, njoftoi policia.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, Fierit dhe me agjencinë ligjzbatuese “Homeland Security” në ShBA morën njoftimin se ekzistonin komunikime mes disa profileve të rrjetit social Facebook.

Përdoruesit e këtyre profileve, me anë të komunikimeve në rrjetin social facebook, në periudha të ndryshme, kanë ngacmuar dy fëmijë të mitur, 9 vjeç e 12 vjeçe, banues në Amerikë.

Nga hetimet e kryera, u provua se të dyja këto profile i përkisnin shtetasit të ndaluar.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një laptop tip “Lenovo”, 10 aparate celular, karta e USB-së dhe dokumente të ndryshme që dyshohet se kanë të bëjnë me veprën penale.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme për veprën penale “Pornografia me të mitur”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 10 vjet burg.

 

Fraksion.com