LDK nuk heq dorë nga kërkesat e saja për bashkëqeverisje
Lidhja Demokratike e Kosovës, është deklaruar se qëndron prapa ofertës së saj për bashkëqeverisje.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka deklaruar se partia e tij qëndron prapa ofertës së fundit që i ka propozuar Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëqeverisje.
Në një prononcim për medie pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Veliu deklaroi, se LDK-ja dëshiron postin e kryeparlamentarit dhe pesë ministrive, dhe se sipas tij, posti i presidentit është i padiskutueshëm, raporton lajmi.net.
“Për punën e ministrive jemi marrë vesh një herë që do t’i kemi dy ministri dhe nuk di çfarë varianti është ai. Ne po presim nga Vetëvendosje që të deklarohet për ofertën tonë. Oferta jonë është me kryeparlamentarin dhe pesë ministri edhe me zotimin për president. Kjo është oferta që qëndron. Ne po presim përgjigje. Ky qëndrim është i organeve të LDK-së dhe nuk e besoj që dikush e kundërshton sepse është vendim dhe qëndrim i organeve të Lidhjes Demokratike”, është shprehur Veliu para gazetarëve, raporton më tutje lajmi.net.
I pyetur nëse do të ketë ndonjë takim gjatë ditës së sotme në mes të Isa Mustafës dhe Albin Kurtit, Veliu ka thënë se ka gjasa që të ketë takim mes dy liderëve, mirëpo siç u shpreh ai, në këtë takim përfundimisht do të dihet nëse do të arrihet marrëveshja apo ajo.
“Gjasat janë që të ketë takim. Unë mendoj se ky proces duhet të mbyllet sepse çfarëdo epilogu që të ketë ky proces duhet të ketë një kohë që të kryhen disa punë dhe detyra që na presin. Qoftë ai pozitiv, qoftë epilogu tjetër edhe në rastin tjetër duhet të ketë kohë Vetëvendosje që t’i shqyrtoj pozicionet e saja dhe të bëj përpjekje tjera. Sipas mendimit tim sot duhet të ndodhë takimi”, theksoi Veliu.