Balla: Gjermania, një vend mik dhe partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë
“Shpresojmë se qeveria federale do të jetë një kontribues i rëndësishëm në fondin e rindërtimit”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili ndodhet në Berlin, në kuadër të delegacionit që shoqëron Kryeministrin Edi Rama në vizitën e tij në Gjermani.
Kryeministri Rama u prit sot në Berlin nga Kancelarja Angela Merkel për Programin e Rindërtimit në prag të Konferencës së Donatorëve, që do të mbahet në Bruksel më 17 shkurt.
Pjesë e delegacionit që shoqëron Kryeministrin Rama në Berlin, Balla vlerësoi se “Gjermania është një vend mik dhe partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë”.
“Ashtu siç garantoi Kancelarja Merkel menjëherë pas goditjes tragjike të tërmetit të 26 Nëntorit se “Gjermania dhe Bashkimi Europian do t’ju mbështesin në këtë kohë të vështirë”, shpresojmë se qeveria federale do të jetë një kontribues i rëndësishëm në fondin e rindërtimit”, tha Balla.
Ai theksoi se “viti i ri 2020 që sapo ka nisur është viti i rindërtimit, i ringritjes pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti”.
“Brenda vitit 2020, çdo familje jashtë qytetit që ka humbur banesën individuale do të hyjë në një banesë të re. Po ashtu deri në gjysmën e parë të vitit 2020, duhet të jenë ngritur në qytetet e prekura, të gjitha kantieret e lagjeve të reja”, tha Balla.