Aeroplani me 83 pasagjerë rrëzohet në Afganistan
Një aeroplan pasagjerësh me dhjetëra njerëz në bord u rrëzua në provincën Ghazni të Afganistanit, thanë zyrtarët.
Raporte të konfirmuara për fatin e pasagjerëve nuk ka.
Duke u thirrur në informacionet fillestare, guvernatori i provincës, Wahidullah Kalimzai, i tha Radios Evropa e Lirë se aeroplani i përkiste kompanisë kombëtare ajrore Ariana Airlines dhe se në të gjendeshin rreth 83 persona.
Në një postim në Facebook, kompania shtetërore mohoi se avioni i saj është rrëzuar.
“Një avion është rrëzuar, por ai nuk i përket kompanisë Ariana, sepse dy fluturimet e menaxhuara nga Ariana sot, nga Herati në Kabul dhe nga Herati në Delhi, janë kryer me sukses”, tha po ashtu drejtori i përkohshëm i Ariana-s, Mirwais Mirzakwal, për agjencinë e lajmeve Reuters.
Kalimzai tha se aeroplani u rrëzua në rrethin Deh Jak – një zonë e kontrolluar nga talibanët në jugperëndim të Kabulit.
Fraksion.com