Ujdia për refugjatët nuk duket në horizont
Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer refuzon pranimin e refugjatëve minorenë të pashoqëruar nga kampet greke. Në takimin e ministrave të BE në Zagreb u kuptua duk qartë: ujdia nuk duket në horizont.
Seehofer nuk pranon refugjatë minorenë
Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehoer i hodhi poshtë kërkesat e Të Gjelbërve në Berlin që për arsye humanitare të merren të paktën minorenët e pashoqëruar në kampet greke. Disa lande gjermane kishin shprehur më parë gatishmërinë për pranimin e tyre. Por Seehofer tha jo. Ai kërkon të marrë më parë miratimin nga disa vende të BE që duan të bashkëpunojnë për këtë çështje. Me Francën po zhvillohen ndërkohë bisedime, thuhet nga ministria gjermane.
Shqetësimi i Berlinit është, se Gjermania si në vitin 2015 dërgon me këtë një sinjal që çon sërish në pranim të pakufizuar, edhe nëse ata janë minorenë. Seehofer kërkon një koalicion vullnetar me vendet që duan të pranojnë minorenë. Vetëm ministrja e Brendshme zvicerane bëri një premtim, se vendi i saj mund të marrë disa minorenë nga kampet greke. Berlini pret që qeveria greke të përshpejtojë procedurat e azilit dhe të identifikojë refugjatët me të drejtë qëndrimi për azil nga ata që janë vetëm migrantë ekonomikë. Ministri i Brendshëm gjerman kërkon një zgjidhje për shpërndarjen e refugjatëve brenda BE. “Popullata e kupton gjithnjë e më pak, që nuk ecet përpara për një temë që pa diskutim mund të zgjidhet vetëm në nivel europian.”
Jo “shërbim taksie” në Mesdhe
Ministri Seehofer nuk del kundër rivënies në funksion të misionit “Sophia” para brigjeve libiane. Misioni u bllokua para një viti për shkak të presionit të qeverisë italiane, sepse refugjatët e shpëtuar “zbarkonin” rregullisht në portet italiane. Ministrat e Jashtëm të BE duan që të nxjerrin sërish anijet në Mesdhe për të kontrolluar zbatimin e embargos së armëve për Libinë. Horst Seehofer e pranon misionin, dhe bashkë me Francën, Italinë dhe Maltën, Gjermania do të rregullojë shpërndarjen e refugjatëve të shpëtuar. Por ai theksoi, se ky mision nuk duhet të kthehet në “shërbim taksie”.
Komisioni i ri Europian ndërkohë me komisioneren e re për çështjet e Brendshme, Ylva Johansson po ndërmerr një përpjekje të re për të zhbllokuar politikën e refugjatëve të BE. Johansson apeloi tek vendet anëtare për “gatishmëri për kompromis” me qëllim që t’i jepet fund “stanjacionit të papranueshëm”. Ajo tha, se ka biseduar me 15 vende, javën e ardhshme do të vazhdojë të bisedojë me vendet e tjera. Pozicionet janë shumë “të ndryshme”, që shihet si një eufemizëm diplomatik për “papajtueshmëri”. Megjithatë Johansson planifikon në pranverë të ofrojë një propozim të ri për migracionin, që nga vendet anëtare “të pranohet, edhe nëse nuk përshëndetet.”/DW
Fraksion.com