AktualitetPolitikëTë fundit

Michel: Hapja e negociatave me Shqipërinë dhe MV prioritet për Këshillin Europian

Vizita ime këtu disa javë pasi fillova funksionin e kryetarit të Këshillit Europian ka për qëllim që të japë porosi shumë të fuqishme se e ardhmja dhe fati i Maqedonisë së Veriut janë europiane, se duhet të vazhdohet dialogu intensiv dhe se duhet të jepet një vendim i përbashkët për këtë, deklaroi presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel pas takimit me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski në Shkup.

”Për këtë qëllim, gjatë marsit do të vazhdojmë me debatet për ecjen përpara dhe, në Këshillin Europian, do t’iu propozoj kolegëve të mi një strategji që bazohet në tri shtylla”, shtoi ai.

“Shtylla e parë është që të punojmë në javët dhe muajt e ardhshëm, të harmonizohemi rreth një reforme në procesin e zgjerimit dhe modernizimit të tij. Konstatova se ka disa vende evropiane të cilat vlerësojnë se duhet të japin lidership më të madh në këtë proces, më shumë rezultate dhe të bëjmë që marrëdhëniet të zhvillohen në interes të përbashkët”, tha Michel.

”Shtylla e dytë është fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Jam i vetëdijshëm për të gjitha reformat e mundimshme të cilat janë bërë dhe të cilat duhet të vazhdojnë në muajt në vazhdim me qëllim që të zbatohet Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja me Bullgarinë. E di që këto janë çështje shumë të ndjeshme, megjithatë ato kontribuojnë drejtë mundësisë që të ketë përparim në rrugën drejtë BE-së”, shtoi ai.

”E treta nevojitet që BE-ja të miratojë strategji për investime dhe rritje për Ballkanin Perëndimor. Për mua është jashtëzakonisht e rëndësishme që me këto reforma strukturore, gjithashtu, të lidhet edhe sundimi i drejtësisë, lufta kundër korrupsionit dhe për këtë do të bisedohet edhe për një investim afatgjatë”, theksoi Michel.

“Të gatshëm që ta pranojmë metodologjinë e re sepse ajo është në interes tonin që procesi i anëtarësimit drejt Unionit të jetë i qëndrueshëm dhe i besueshëm. Anëtarësimi në BE është qëllimi ynë strategjik gati tri dekada, qëllim i cili është mbështetur me koncensus të gjerë kombëtar, si dhe me mbështetje të lartë nga qytetarët. Shpresojmë se shumë shpejt, në mars të këtij viti, do të miratohet metodologjia e re dhe që së shpejti do të kemi lajme pozitive për integrimin tonë europian”, deklaroi nga ana e tij presidenti maqedonas, Pendarovski./atsh

 

Fraksion.com