Kalon në SPAK dosja e ish-kryebashkiakes së Gjirokastrës: Shpërdorim detyre
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë në dorë hetimin ndaj shtetases Zamira Rami, e cila ka qenë kryetare e Bashkisë së Gjirokastrës për vitet 2015-2019 me akuzën për “Shpërdorim detyre”.
Mësohet se hetimi ka ardhur pas transferimit të dosjes nga Prokuroria e Gjirokastrës në atë të SPAK. Prokuroria e Gjirokastrës ka shpallur moskompetencë juridike dhe këtë çështje, ia kanë referuar për hetime të mëtejshme prokurorisë së posaçme në Tiranë, pasi është ky organ tashmë që heton zyrtarët e lartë dhe Zamira Rami, si ish-kryetare e Bashkisë së Gjirokastrës, sipas prokurorëve të rrethit në fjalë, përmbush kriteret e funksionarit të lartë shtetëror, gjë e cila ka sjellë transferimin e dosjes nga Gjirokastra në Tiranë.
Sipas burimeve nga SPAK, mësohet se Rami është duke u hetuar për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Ajo është kallëzuar nga dy qytetarë, të cilët pretendojnë se Rami, gjatë kohës që ka qenë në krye të Bashkisë së Gjirokastrës ka marrë vendim për prishjen e disa objekteve pritave. Rrëzimi i këtyre objekteve është kryer, pa marrë një vendim shpronësimi për këto pasuri. Sot e kësaj dite, nga ana e bashkisë Gjirokastër, objektet e prishura nuk janë shpronësuar nga buxheti i bashkisë.
Në këto kushte, pronarët e këtyre objekteve, i janë drejtuar prokurorisë me një kallëzim penal dhe pas nisjes së hetimeve, Rami është marrë e pandehur dhe dërguar në gjykatën e Gjirokastrës për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Në hetimin paraprakë të bërë, Gjykata e Rrethit Gjirokastër ktheu dosjen për rihetim, teksa prokuroria më tej shpalli mos kompetencë për çështjen, duke e transferuar te SPAK.
Fraksion.com