Europa ime: Perdja e hekurt e ekologjisë
Nga Ivaylo Ditchev
Në shumë qytete bëhen rregullisht protesta kundër ndërtimeve të shfrenuara në brigjet bullgare të Detit të Zi apo kundër shkatërrimit të habitateve të kafshëve të egra. Entusiazmin e zgjedhjeve lokale vitin e kaluar e errësoi papritur ndotja e ajrit. Ajo u shoqërua edhe nga skandali i mbeturinave, që importoheshin ilegalisht nga Italia, ndoshta në bashkëpunim me mafian. Pastaj kemi edhe krizën e mungesës së ujit në qytetin Pernik. Bullgaria është një vend malor, në fakt këtu ka mjaft ujë. Por jo, kur bëhet fjalë për korrupsion dhe paaftësi.
Mungesa e kompetencës e çiftëzuar me korrupsionin
Për t‘u justifikuar para qytetarëve u sakrifikua Ministri i Mjedisit dhe Ujit, Neno Dimov. Ai u arrestua dhe u detyrua të japë dorëheqjen. Kjo qe një premierë e vërtetë për Bullgarinë, sepse edhe në kohën e komunizmit zyrtarët pushoheshin njëherë dhe pastaj arrestoheshin. Një shpjegim i arsyeshëm është, se ajo ishte mënyra e vetme për qetësimin e qytetarëve të Pernikut, të cilët kanë ujë vetëm për disa orë në ditë. Nenov, një matematikan, natyrisht ishte shumë i pakualifikuar për këtë punë. Tani ai është zëvendësuar nga një kuadër tjetër i nomenklaturës, një specialist i valleve popullore dhe doganave, që njihet edhe për lobiim.
Opozita kërkoi një votim mosbesimi dhe pati protesta, por Borisovi mbeti në pushtet. Duket se kryeministri nuk ka pse të ndjehet i rrezikuar, nga interesi i vakët i shtetasve tij për çështjet ekologjike. Dhe me të drejtë.
Një tjetër perde e hekurt
Ekologjia e ka ndarë Evropën me një perde të re hekuri, këtë herë jo në lindje dhe perëndim, por në veriperëndim dhe juglindje. Si mund të shpjegohet ndryshe mbështetja e dobët për lëvizjet ekologjiste, jo vetëm në Poloninë e varur nga qymyri, por edhe në Greqi, Bullgari apo Itali – vende që për shkak të varësisë së tyre nga turizmi dhe bujqësia kanë nevojë për një natyrë të padëmtuar. Vala ekologjiste, që ka përfshirë Gjermaninë, Francën, apo Britaninë e Madhe, e cila po fillon të spostojë të majtën e vjetër socialdemokrate, nuk duket se po arrin në vendet që e kanë atë urgjentisht të nevojshme.
Jugu dhe lindja evropiane, që u industrializuan më vonë se perëndimi dhe veriu, kanë vuajtur më pak nga ndotja. Këtu industria është ende një ëndërr, dhe çdo thirrje për ndalimin e rritjes ekonomike dhe moderimin e konsumit konsiderohet si arrogancë koloniale. Këtu arritja e shkallës së perëndimit të industrializuar ka qenë ideologji kryesore për gati dy shekuj.
Egoizmi i evropianolindorëve
Vende si Bullgaria apo Sllovakia, Italia e Jugut apo Lituania janë urbanizuar vetëm pak breza më parë, dhe siç e dimë, ndërgjegjja ekologjike lind vetëm, kur e kemi humbur natyrën. Partitë ekologjiste janë liberale në kuptimin kulturor dhe mbrojnë stanjacionin ekonomik. Kjo i bën ato një armik të përsosur si për të djathtët në luftën e tyre kundër “socializmit të gjelbër” ashtu edhe për të majtët në luftën kundër “globalistëve pa shtetësi”.
Pjesa lindore e kontinentit ka zhvilluar një lloj egoizmi lëkurëtrashë, ndoshta si përgjigje ndaj bujarisë së imponuar, që kërkohej nga aparati ideologjik komunist. “Djathtas” apo “neoliberal” duket se janë terma jo të përshtatshëm për këtë fenomen të çuditshëm. Sot natyra është e mira e fundit që gëzon konsensus publik, e cila bashkon shoqëritë tona gjithnjë e më të copëzuara. Por kujdesja për të përbashkëtën, atë që u përket të gjithëve, nuk është në modë në vendet postkomuniste.
Mungesa e entuziazmit për t‘u përfshirë në përpjekjet për shpëtimin e planetit, të kujton refuzimin e qartë, që po të njëjtat vende i bënë pranimit të refugjatëve me fe tjetër dhe ngjyrë tjetër lëkure gjatë krizës së viteve 2015-2016. Perdja e hekurt për refugjatët duket se ndjek fort gjeografinë e perdes së hekurt ekologjike.
Ekologjia si mjet
Dikur energjia e gjelbër qe një forcë e rëndësishme në rrëzimin e diktaturës sovjetike. Fatkeqësia e Çernobilit dhe tharja e detit Azov ishin ndër goditjet më të forta, që iu shkaktuan Bashkimit Sovjetik. Sa i përket Bullgarisë, mobilizimi i ndrojtur antikomunist atje filloi në vitin 1988, me krijimin e një komiteti për të mbrojtur qytetin Russe nga ndotja prej pjesës rumune të Danubit. Por në valën e çmontimit të sistemit totalitar problemet ekologjike u lanë menjëherë mënjanë. Të Gjelbërit në Bullgari nuk përfaqësohen sot as në parlament. Edhe në vendet e tjera situata nuk është më e mirë.
Nuk duket se në Evropën Lindore do të ketë një bum të ideve ekologjiste. Por le të kujtojmë rënien e komunizmit. Çështjet ekologjike u përdorën atëherë për të arritur synimin shumë më të lartë: mposhtjen e diktaturës. Protestat e qytetarëve bullgarë kundër mungesës së ujit apo ndotjes së ajrit mund të fshehin një zemërim shumë më të madh, ndaj privatizimit të resurseve publike – një sundim thuajse feudal – dhe mungesës së perspektivës. Nëse është kështu, ne mund të gjendemi para një Çernobili tjetër (politik).
Ditchev është profesor i antropologjisë kulturore në Universitetin e Sofjes në Bullgari. Ai ka dhënë mësim ndër të tjera në Gjermani, Francë dhe SHBA./DW
Fraksion.com