Tatimet kontroll në 1318 subjekte, 665 shkelje të konstatuara
Në zbatim të Planit Operacional 2020, në kuadër të luftës kundër informalitetit dhe verifikimin e deklarimeve që bëhen në sistemin tatimor vazhdon Monitorimi në Terren me strukturat përkatëse që kanë nisur verifikimet në të gjithë territorin e vendit.
Në njoftimin për shtyp, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se ky Plan përcaktohet sipas elementëve të identifikuar të riskut nga analiza e deklarimeve të tatimpaguesve në sistemin tatimor, si edhe ndjekjen e të gjitha rasteve të denoncimeve që vijnë nga qytetarët, të cilët konstatojnë shkelje të ligjit në marrjen e shërbimit.
Gjatë periudhës 2-22 Janar 2020, janë kryer 1 318 kontrolle, ndërsa janë konstatuar 665 shkelje të legjislacionit tatimor.
Sipas Tatimeve, 39 subjekte janë konstatuar të paregjistruara, për të cilët është marrë masa e bllokimit deri në momentin e regjistrimit të tyre pranë QKB dhe organeve tatimore.
Gjithashtu, 174 tatimpagues u penalizuan për shkeljen e moslëshimit të kuponit tatimor (rasti i parë), ndërsa 3 tatimpaguesve u janë bllokuar ambientet për 30 ditë kalendarike për moslëshim kuponi tatimor (hera e dytë).
Në kuadër të këtij operacioni anti-informalitet, 71 tatimpagues janë penalizuar pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar, nga të cilët 56 subjekte janë të përgjegjësisë tatimore “biznes i vogël” dhe 15 subjekte janë të përgjegjësisë tatimore “biznes i madh”.
17 tatimpagues janë konstatuar se nuk kanë pasur të instaluar pajisjen fiskale dhe 25 tjerë nuk i mbanin pajisjet fiskale në gjendje pune si dhe 146 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor.
Administrata Taimore fton dhe nxit të gjithë tatimpaguesit të vetëdeklarojnë në mënyrë korrekte e në respektim të ligjit, duke ju siguruar se monitorimi do të përfshijë çdo subjekt, që prish konkurencën e ndershme në treg.
Fraksion.com