Meta: Shqipëria dhe Izraeli, marrëdhënie dhe bashkëpunim të shkëlqyeshëm
“Shqipëria dhe Shteti i Izraelit gëzojnë marrëdhënie dhe bashkëpunim të shkëlqyeshëm, por lidhja midis popujve tanë është më domethënëse se çdo lidhje zyrtare”.
Në kuadër të vizitës zyrtare në Izrael, Presidenti i Republikës, Ilir Meta u ftua posaçërisht nga Shkolla prestigjoze e Qeverisjes, Diplomacisë dhe Strategjisë “Lauder”, për të mbajtur një ligjëratë të veçantë.
I pritur nga Presidenti i IDC-së, Prof. Uriel Reichman, Dekani i Shkollës “Lauder” Prof. Assaf Moghadam, Drejtorja e Komitetit Hebreo-Amerikan (AJC) në Jeruzalem Avital Leibovich si dhe trupa pedagogjike e studentët, Presidenti Meta pasi vizitoi mjediset dhe kolegjin, mbajti ligjëratën me temë: “Shembulli unik i Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe bashkëjetesa fetare në Shqipëri, si model i paqes”, dhe më pas iu përgjigj pyetjeve dhe interesimit të studentëve të pranishëm.
Në ligjëratën e Tij, Presidenti i Republikës u shpreh se, “Shqipëria dhe Shteti i Izraelit gëzojnë marrëdhënie dhe bashkëpunim të shkëlqyeshëm, por lidhja midis popujve tanë është më domethënëse se çdo lidhje zyrtare”.
“Në emër të vendit tim ju përcjell mesazhin e veçantë të dhembshurisë dhe solidaritetit njerëzor të demonstruar nga shembulli unik i Shqipërisë për të mbrojtur hebrenjtë gjatë Shoah-ut (Holokaustit) dhe modelin e tij të harmonisë ndërfetare përgjatë shekujve. Kjo trashëgimi e jashtëzakonshme është çështje krenarie kombëtare për të gjithë shqiptarët dhe përcakton se cilët jemi ne si komb”, tha Meta.
“Në botën e sotme, theksoi ai, “komplekse e të ndërlidhur, vendet e vogla si Shqipëria mund të mos priten që të kontribuojnë në përgjithësi me ekonomitë dhe pasuritë e tyre materiale”.
“Sidoqoftë, ne mund të kontribuojmë në pasurimin e botës me atë që kemi më të çmuar: me identitetin, historinë, kulturën, traditat dhe vlerat tona. Shqipëria është një vend ku njerëzit e të gjitha feve dhe besimeve të ndryshme kanë jetuar krah për krah dhe në harmoni të përsosur që nga shekujt e hershëm”, theksoi Meta.
“Është një model unik i bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërfetar, që u quajt nga Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri – vizita e tij e parë jashtë Shtetit të Vatikanit, – “një vëllazëri fetare”. Kjo vëllazëri fetare ka ekzistuar gjithmonë mes shqiptarëve. Ajo nuk ka lindur dhe as nuk është zhvilluar në kohët moderne. Është një traditë që buron nga thellësia e shekujve dhe ka ekzistuar përgjatë gjithë historisë së kombit tonë”, u shpreh Meta.
“Ia vlen të përmendet fakti që asnjëherë nuk ka pasur ndonjë grindje apo mosmarrëveshje fetare midis shqiptarëve. Të gjithë kanë pranuar dhe respektuar realitetet e ndryshme fetare dhe kulturore në vend, me të gjitha vlerat e tyre. Kjo është arsyeja pse baballarët tanë, themeluesit e shtetit e konsideruan fenë si një instrument për paqen dhe harmoninë kombëtare dhe jo për ndarjen apo përjashtimin e tyre.
“Bashkësia hebreje gjithmonë do të gëzojë gjithnjë një lidhje të fortë e të veçantë me popullin shqiptar. Shembulli historik i shqiptarëve që mbrojnë hebrenjtë dhe duke iu dalë në krah e duke iu qëndruar pranë në momentet më kritike është shumë i rëndësishëm dhe duhet të përhapet e të mësohet në shkolla dhe institucione arsimore”, tha Meta.
Shqipëria, vijoi ai, “do të vazhdojë të jetë një përkrahëse e përkushtuar e së drejtës së popujve, e identitetit dhe ndryshueshmërisë së tyre, e lirisë për të ushtruar fenë e tyre dhe për të praktikuar besimin e tyre në harmoni të plotë”.
“Do të dëshiroja ta përfundoja ligjëratën time me disa fjalë mbi marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Shtetit të Izraelit. Lidhja e fortë që bashkon popullin tonë manifestohet në marrëdhëniet e shkëlqyera të vendosura gjatë tre dekadave të fundit midis dy shteteve tona”, tha Meta.
“Një shembull i kohëve të fundit dhe i jetik i lidhjeve të forta mes dy shteteve tona është edhe operacioni i kërkim-shpëtimit që Njësia Kombëtare e Shpëtimit, pjesë e Forcave Izraelite të Mbrojtjes ndërmori në Shqipëri menjëherë pas tërmetit tragjik që goditi vendin tonë më 26 nëntor. Ne jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen mbresëlënëse të Izraelit gjatë atyre ditëve kur neve na duhej më së shumti”, u shpreh Meta.
“Shqipëria dhe Izraeli janë të bashkuara në vlerat e tyre të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë. Ne jemi edhe më të bashkuar në përpjekjen tonë të përbashkët për t’i mbrojtur këto vlera nga kërcënimet e përbashkëta si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe fondamentalizmi fetar”, tha Meta.
Ndërsa, shtoi ai, “kjo përputhje interesash ka bërë të mundur që marrëdhëniet tona dypalëshe të lulëzojnë, ekziston akoma një potencial ende i pashfrytëzuar për bashkëpunim në fusha të tilla si ulja e rrezikut nga katastrofat, energjia, turizmi, teknologjia dhe dixhitalizimi”.
Në këtë drejtim, shtoi Meta, “Shqipëria ka shumë për të mësuar nga Izraeli rreth përdorimit të teknologjisë, nisjes së sipërmarrjeve dhe mjeteve të reja dixhitale për të nxitur zhvillimin ekonomik. Në të njëjtën kohë, edhe ne kemi shumë për t’iu ofruar investitorëve izraelitë, që duan të investojnë në Shqipëri, si dhe për turistëve izraelitë që duan të vizitojnë vijën tonë të mrekullueshme të bregdetit, malet tona të larta dhe vendet tona të vjetra historike”./atsh
Fraksion.com