Koronavirusi që po vret njerëz: Në Kinë 6 qytete në karantinë
Kina po zgjeron karantinën në provincën e Hubeit me rreth 60 milionë banorë, ku një koronavirus misterioz po vret në mënyrë konstante qytetarët.
Numri i viktimave është rritur në 26 prej muajit të kaluar, dhe në të paktën gjashtë qytete të provincës janë pezulluar hyrje-daljet.
Në epiqendrën e epidemisë, në qytetin lindor të Vuhanit, u pezulluan të enjten të gjitha shërbimet e transportit publik ajror, hekurudhor dhe ndërqytetës.
Kryeqyteti kinez, Pekini, njoftoi anulimin e eventeve të rëndësishme të javës, përfshirë festimet tradicionale të Vitit të Ri Hënor.
“Të jeni të sigurt se kjo është një emergjencë për Kinën, por ende nuk është kthyer në një urgjencë shëndetësore globale. Ka shumë gjëra që na japin avantazhin, por disavantazhi më i madh është e panjohura, pasi nuk po e kuptojmë plotësisht sëmundjen, seriozitetin apo transmetimin e saj,” njoftoi një ditë më parë Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Numri i pacientëve që po trajtohen me virusin në Kinë e ka kaluar shifrën 800.
Raste të reja janë raportuar në shtetet aziatike fqinje, Australi dhe SHBA, ndërsa dyshime për infeksionin kanë edhe autoritetet europiane në Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe në Skoci.
Epidemiologët ende nuk e kanë konfirmuar mënyrën si përcillet virusi te njeriu, përfshirë raportimet se ai mund të jetë shpërndarë nga gjarpërinjtë e sëmurë që shiteshin ilegalisht në tregun e Vuhanit.
Qyteti kinez njoftoi të premten se ka nisur puna për ndërtimin e një spitali të ri me 1 mijë shtretër për të trajtuar numrin në rritje të pacientëve.
Godina është planifikuar të përfundojë brenda 6 ditëve.
Fraksion.com