Siri, 36 mijë civilë janë zhvendosur pranë kufirit turk në 48 orët e fundit
Si pasojë e sulmeve të regjimit të Bashar al-Asadit dhe Rusisë, 36 mijë civilë të tjerë janë zhvendosur nga vendet e tyre që gjenden brenda zonës së deeskalimit Idlib në Halep të Sirisë, raportojnë mediet turke.
Sipas informacionit të ndarë me AA-në nga Mohammad Hallaj, drejtori i Koordinimit të Ndërhyrjes Siriane, e cila përpilon të dhënat lidhur me civilët e zhvendosur nga rajoni, mësohet se si pasojë e sulmeve të mbështetura nga ajri edhe nga Rusia, vazhdojnë migrimet nga rajonet Darat Izzah, Atarib, Huritan, Hayyan, Anadan, Aynacara, Kasimiyya, Sellum, Khan Tuman, Khan al-Asal, Kafr Naya Bara dhe Ayn Cara.
Për shkak të sulmeve të ndërmarra nga forcat e regjimit të Asadit dhe Rusisë në dy ditët e fundit kanë mbetur pa shtëpi edhe 36.007 civilë të përbërë nga 11.691 familje.
Një pjesë e madhe e civilëve të zhvendosur janë strehuar në rajonet pranë kufirit me Turqinë ndërsa një pjesë e tyre në zonat e operacioneve “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit” zona të cilat Turqia i ka pastruar nga terroristët.
Nga vendbanimet në pjesën jugore dhe juglindore të Idlibit dhe pjesën perëndimore dhe jugore të Halepit janë zhvendosur rreth 450 mijë civilë që nga nëntori 2019.
Mijëra civilë kanë vështirësi në gjetjen e strehimoreve për shkak të tejmbushjes së kampeve në Idlib, mungesës së infrastrutkurës dhe territorit për formimin e tendave të reja si dhe për shkak të pakësimit të ndihmave.
Po ashtu mijëra familje të cilat kanë mbetur pa shtëpi duke u larguar nga sulmet presin ndihmë për të siguruar produktet e nevojshme jetësore.
Nuk u zbatuan marrëveshjet e Astanas dhe Soçit
Idlibi në veriperëndim të Sirisë, pothuajse që nga fillimi i luftës së brendshme ka qenë në cilësinë e kështjellës për opozitarët. Në mars të vitit 2015, opozitarët vendosën kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në 4 milionë për shkak të migrimeve të brendshme të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më shpesh sulmohet nga forcat e regjimit.
Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4-5 maj 2017 në Astana, u shpallën 4 zona të deeskalimit, përfshirë qytetin Idlib dhe disa zona të qyteteve fqinje rreth tij në (Latakia, Hama dhe Halep), pjesa veriore e qytetit Homs, Guta Lindore në kryeqytetin Damask dhe rajonet Dera dhe Kunejtra në jug të vendit.
Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane nëpërmjet mbështetjes ajrore të Rusisë duke shkelur armëpushimin, përveç Idlibit morën nën kontroll zonat tjera të mbetura nga 4 rajonet për të cilët ishte vendosur që të ruhej situata e tyre. Si pasojë e sulmeve, qindra mijëra civilë u zhvendosën në veri në pjesët pranë kufirit me Turqinë.
Fraksion.com