Qendra e re shëndetësore e Gostimës; Manastirliu dhe Balla: Premtim i mbajtur, standard i ri shërbimi për 13 mijë banorë
Hapet qendra e re shëndetësore e Gostimës në Cërrik, e rindërtuar në kuadër të programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla inspektuan mesditën e sotme qendrën e re shëndetësore të Gostimës në bashkinë e Cërrikut. “Është një premtim i mbajtur rehabilitimi i qendrës shëndetësore Gostimë, një qendër që i shërben 13 mijë banorëve. Vetëm gjatë 2018-2019 rehabilituam 180 qendra shëndetësore dhe ka rëndësi të thuhet që janë me të njëjtin standard, në qytet dhe në fshat. Ne planifikojmë këtë vit rindërtimin e 120 qendrave shëndetësore dhe ambulancave. Vetëm në qarkun e Elbasanit janë 16 qendra shëndetësore dhe ambulanca të rehabilituara dhe vijojmë këtë vit edhe me qendrën shëndetësore 24 orëshe të Cërrikut, Belshit etj”, tha Manastirliu.
Kryetari i grupit parlamentar socialist dhe drejtuesi i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla vlerësoi investimin e qeverisë për kujdesin parësor. “Rikonstruksioni i qendrës shëndetësore të Gostimës ishte i domosdoshëm për shkak të kushteve, numrit të madh të banorëve, por edhe faktit që kjo qendër ndodhet në kryqëzim rrugësh dhe u shërben edhe kalimtarëve”, tha Taulant Balla. Me programin e 300 qendrave shëndetësore që përmbyllet këtë vit me rindërtimin e 120 qendrave shëndetësore nga veriu në jug, jo vetëm është garantuar përmirësi i kushteve të punës falë rehabilitimit infrastrukturor dhe pajisjeve të reja, por edhe është ndërtuar një model i standardizuar dhe i unifikuar i qendrave shëndetësore qoftë në zona urbane ashtu dhe në ato rurale.
Fraksion.com