AktualitetPolitikëTë fundit

PD i bashkohet marrëveshjes së unitetit politik të Luginës së Preshevës

Partia Demokratike i shtohet koalicionit të partive shqiptare në Serbi.

Lajmin e ka dhënë ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili është shprehur se, “Sot marrëveshjes së unitetit politik të Luginës së Preshevës iu bashkua edhe Partia Demokratike. Në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, marrëveshjen e firmosi edhe kryetari i këtij subjekti, Nagip Arifi”.

“Në takim nënvizuam edhe njëherë rëndësinë e patjetërsueshme të bashkimit politik e bashkëpunimit ndërpartiak në mbrojtje të interesave kombëtare e politikave zhvillimore në përgjithësi!”, theksoi Cakaj.

Më 16 janar, ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti në një takim në Tiranë, përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës.

Takimi kishte në fokus diskutime që lidhen me krijimin e një liste të përbashkët të partive shqiptare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi. Kjo listë, e cila bazohet në parime të qarta programore, do të quhet “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”.

Në përfundim të takimit, palët nënshkruan “Marrëveshjen për krijimin e listës së përbashkët zgjedhore të subjekteve politike shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Serbisë”.

Nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar, për herë të parë, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Lëvizja Reforma në PDSH dhe Lëvizja e Progresit Demokratik, do të veprojnë me një program, sa herë do të jenë në pyetje parimet kombëtare dhe çështja e Luginës së Preshevës.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënon bashkimin e palëve për të siguruar një përfaqësim sa më të lartë dhe për të krijuar një pozicion sa më të fuqishëm prej zgjedhjeve parlamentare në Serbi.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com