AktualitetBota+Të fundit

OKB: Arabia Saudite mund të ketë hakeruar telefonin e Jeff Bezosit

Hetuesit e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut thonë se zyrtarët sauditë mund të kenë ndërhyrë në celularin e presidentit të firmës Amazon, Jeff Bezos njokohësisht pronar i gazetës Washington Post, në përpjekje për të ndikuar tek mbulimi i lajmeve të kësaj gazete për Arabinë Saudite.

Hetuesit thanë në një raport të publikuar të mërkurën se në celularin e miliarderit ishte dërguar një video e infektuar nga llogaria WhatsApp e princit saudit të kurorës Mohamed bin Salman.

“Hakerimi i dyshuar i telefonit të zotit Bezos dhe i të tjerëve, kërkon një hetim të menjëhershëm nga SHBA dhe autoritete të tjera përkatëse,” thanë raportuesit specialë të OKB-së në Gjenevë, Agnes Callamard dhe David Kaye.

Sipas ekspertëve që analizuan telefonin e zotit Bezos në vitin 2019, regjistrimet tregonin se brenda disa orësh pas marrjes së videos, “në sjelljen e telefonit ishte vënë re një ndryshim anormal dhe ekstrem”.

Ekspertët thanë gjithashtu se në muajt në vijim, nga telefoni i zotit Bezos ishin transferuar sasi të mëdha të dhënash.

Ambasada saudite në Uashington e mohoi prerazi sulmin kibernetik, duke komentuar në Twitter se njoftimet e mediave për hakerimin e telefonit “janë absurde”. Ambasada bëri thirrje gjithashtu për një hetim mbi çështjen, në mënyrë që, siç u shpreh ajo, “të mund të kemi të gjitha faktet”.

Raporti ka të ngjarë të keqësojë marrëdhëniet midis mbretërisë Saudite dhe Jeff Bezosit, njeriut më të pasur në botë.

 

Fraksion.com