Haradinaj: Linja Prishtinë-Beograd, Haradinaj nuk prek taksën 100 për qind
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka mohuar se marrëveshja për linjën ajrore Prishtinë – Beograd eliminon taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë. Në një konferencë për media, ai ka deklaruar se kjo nuk flet për taksën. Të hënën, në ambasadën amerikanë në Berlin është nënshkruar marrëveshja për krijimin e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.
Kryeministri i Kosovës në detyrë Ramush Haradinaj, ka thënë se krijimi i linjës ajrore Prishtinë-Beograd nuk është kthim prapa as në sovranitet e as në shtetësinë e Kosovës.
Haradinaj ka thënë se krijimi i kësaj linje nuk ka të bëjë fare me taksën që Kosova ka vënë ndaj mallrave të Serbisë, teksa ka thënë se është hap përpara për Kosovën.
“Kosova ka vetëm çështjen e pazgjidhur të sovranitetit, që nuk e ka marrë në zotësi hapësirën ajrore. Atë e menaxhon NATO-ja dhe jemi të lumtur. Arritja e marrëveshjes për fluturim direkt nga Beogradi në Prishtinë nuk ndryshon në statusin tonë, në sovranitetin tonë në atë çka jemi. Hapësirën ajrore tonën ende ne nuk e kemi në zotësi, e ka NATO. Në momentin e arritjes së marrëveshjes me NATO-n kalon te ne, ende s’ka kaluar për shkaqe të sigurisë. Është më mirë që tash NATO e ka nën menaxhim. Kemi interes si Kosovë të mbesë. S’është kthim prapa as në sovranitet as në shtetësi. Është gjuhë biznesi që përdoret për një fluturim, e s’është kthim prapa as në sovranitet as në asnjë gjë tjetër. Gjuha është anglisht. Gjuha është e NATO-s sepse hapësira ajrore nuk është ende në posedim tonin”, ka thënë ai.
Haradinaj thotë se me këtë marrëveshje Kosova ka ecur para.
“S’ka ndodhur marrëveshje Kosovë – Serbi. Kemi një letër qëllimi në parametrat që janë të pranueshëm që të ndodhë linja Prishtinë – Beograd, palëve që u intereson. Kjo është ajo që ka ndodhur. S’do të arrihej pa ambasadorin Grenell e të tjerët. Është hap përpara për Kosovën. Jo prapa. Kosova ka ecur përpara me këtë”, ka shtuar Haradinaj.
Ai ka thënë tutje se kjo linjë ajrore mund të ndikojë edhe në regjimin e deritashëm për dokumentet e kërkuara për udhëtim nëpër Serbi. Ai ka thënë se s’është koha për të shpallur fitore, por ka shtuar se mund të ketë edhe njohje të pasaportës së Kosovës nga ana e Serbisë.
“Fakti se është linjë ajrore mendoj se bën ndryshim në regjimin e deritashëm që ka ekzistuar në udhëtim. Qindra mijëra qytetarë tanë kalojnë nëpër Serbi. Ka pas regjim të udhëtimit. Kjo linjë implikon pak më shumë. Por është herët të shpallim fitore të caktuar apo tjetër, por në të ardhmen mund të gjendet një zgjidhje sikur me vendet tjera që s’e kanë njohur Kosovën. Mund të njihen dokumentet e Kosovës, në këtë rast e pasaportës. Është herët të diskutohet për këto modalitete”, ka deklaruar ai.
Të hënën, në ambasadën amerikanë në Berlin është nënshkruar marrëveshja për krijimin e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.
Kjo është bërë në prezencën e të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, në të cilën përfaqësuesit e kompanisë Lufthansa i kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës letrën me të cilën i njoftojnë autoritetet e Kosovës për këtë synim dhe kërkojnë që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë.
Fraksion.com