AktualitetPolitikëTë fundit

“Fatura e tërmetit 1 mld Euro”: Rama nga Italia: Javën tjetër takoj Merkelin; Di Maio: Do gjejmë zgjidhje tek Konferenca e Donatorëve

Një miliard euro është fatura e dëmit nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit që goditi Shqipërinë duke lënë 51 viktima dhe dëme të shumta materiale. Nga Italia ku zhvilloi një vizitë zyrtare me qëllim organizimin e Konferencës së Donatorëve, kryeministri Edi Rama u prit nga homologu Giuseppe Conte dhe ministri i Jashtëm Di Maio, ndërsa u shpreh në një video-mesazh nga Roma se javën tjetër do të takohet edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel me qëllim që konferenca të jetë e suksesshme.

Kreu i qeverisë  ka deklaruar për herë të parë zyrtarisht se fatura e dëmeve nga tërmeti llogaritet rreth një miliard Euro. Konferenca e Donatorëve është shpresa e madhe për të siguruar një shumë sa më të madhe për rindërtimin. Megjithatë, Rama pas takimeve në Itali me homologun Conte dhe ministrin e Jashtëm Di Maio u shpreh se javën tjetër do të takohet edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel që konferenca të jetë e suksesshme. Kreu i qeverisë gjithashtu shtoi se pavarësisht si do të jetë rezultati nga konferenca e 17 shkurtit, qeveria pas asaj që do të ndodhë në Bruksel në mes të muajit të kaluar do të ketë lëvizje të tjera me qëllim rindërtimin.

“Takime të rëndësishme me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm në vigjilje të konferencës së donatorëve për Shqipërinë në 17 shkurt në Bruksel nën kujdesjen e Presidentes së KE-së. Falenderova Conten dhe Di Maion për ndihmën e paçmuar të Italisë mike që në orët e para pas tërmetit shkatërrues, i kam informuar për punën që kemi bërë me planet e rindërtimit dhe me raportin e dëmeve, që pritet që të përfundojë në ditët në vijim në bashkëpunim me BE-në dhe OKB-në. Shifra nuk ka dalë ende por të dhënat e mbledhura deri tani që rrotullohet te 1 miliard euro, ne do të bëjmë çmos edhe me ndihmën e miqve të mëdhenj të Shqipërisë, ku Italia është ndër më të afërtit, që konferenca të jetë një sukses.

E kemi shumë të qartë që për të përmbushur nevojën nuk do të mjaftojë, por jemi të përgatitur për të vijuar pas konferencës me disa veprime të tjera kurajoze duke përfituar nga qëndureshmëria e lartë makro ekonomike që kemi garantuar në këto vite reformash dhe duke kombinuar disa skema financimi. Pa ndërprerë dhe reduktuar programe të tjera. Jam shumë mirënjohës nga vëmendja e veçantë dhe gatishëmria që kam gjetur këtu dhe do të vijoj me takim me Merkel në fillim të javës së ardhshme dhe më tutje me disa kontakte kyçe, në mënyrë që konferenca të jetë një sukses.

Planet e rindërtimit po ecin shpejt për të mundësuar ngritjen e banesave të para në pranverë dhe përfunduar me shtëpitë në zonat rurale brenda 2020. Po punohet edhe në qytetet e prekura, ku ndërhyrjet do të jenë masive dhe procesi i projektimit pak më i gjatë. Jemi brenda afateve. Do të vijojmë tu paguajmë deri ditën e fundit njerëzve të prekur deri kur ti kthejmë në apartamentet e reja. Jemi brenda afateve edhe për rindërtimin e shkollave dhe spitalit të Lacit, por ju kërkoj durim” deklaroi ai.

 

Fraksion.com