BE bën thirrje për ndalimin e sulmeve në Idlib
Bashkimi Evropian (BE) i bëri thirrje regjimit të Bashar al-Assadit dhe mbështetësve të tij që të ndalojnë sulmet kundrejt civilëve në Idlib të Sirisë.
Zëdhënësi i Komisionit të BE-së, Peter Stano, në një deklaratë me shkrim theksoi se 35 persona, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën në sulmet e ndërmarra ditët e fundit në veriperëndim të Sirisë nga forcat e regjimit dhe aleatët e tij. Si pasojë, sulmet kanë shkelur armëpushimin dhe në rajon janë zhvendosur 350 mijë civilë.
Sulmet dhe bombardimet me objektiv civilët në Idlib, Stano i ka cilësuar të “pa pranueshme” dhe ai ka bërë thirrje për t‘i dhënë fund këtyre sulmeve.
“BE-ja do të vazhdojë sanksionet e saj kundër regjimit të Assadit, përsa kohë që vazhdojnë sulmet e ashpra në fjalë”, tha Stano, duke vënë në dukje rëndësinë e formimit të korridoreve të ndihmës humanitare.
Sulmet vazhdojnë pavarësisht armëpushimit
Ministria ruse e Mbrojtjes kishte pretenduar fillimin e armëpushimit që nga ora 14.00 e datës 9 janar në rajonin e Idlibit në Siri, por regjimi dhe grupet terroriste me mbështetje iraniane vazhduan sulmet e tyre tokësore.
Ndërsa Ministria turke e Mbrojtjes në samitin e zhvilluar në Stamboll më 8 janar, mes presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit rus Vladimir Putin, deklaroi marrjen e vendimit për shpalljen e armëpushimit në Libi dhe Idlib. Ajo kishte njoftuar se zbatimi i armëpushimit do të vendosej në zbatim duke filluar nga ora 00.01 e datës 12 janar.
Nuk u zbatuan marrëveshjet e Astanas dhe Soçit
Idlibi në veriperëndim të Sirisë, pothuajse që nga fillimi i luftës së brendshme ka qenë në cilësinë e kështjellës për opozitarët. Në mars të vitit 2015, opozitarët vendosën kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në 4 milionë për shkak të migrimeve të brendshme të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më shpesh sulmohet nga forcat e regjimit.
Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4-5 maj 2017 në Astana, u shpallën 4 zona të deeskalimit, përfshirë qytetin Idlib dhe disa zona të qyteteve fqinje rreth tij në (Latakia, Hama dhe Halep), pjesa veriore e qytetit Homs, Guta Lindore në kryeqytetin Damask dhe rajonet Dera dhe Kunejtra në jug të vendit.
Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane nëpërmjet mbështetjes ajrore të Rusisë duke shkelur armëpushimin, përveç Idlibit morën nën kontroll zonat tjera të mbetura nga 4 rajonet për të cilët ishte vendosur që të ruhej situata e tyre. Si pasojë e sulmeve, qindra mijëra civilë u zhvendosën në veri në pjesët pranë kufirit me Turqinë.
Sulmet vazhduan edhe pak kohë pas marrëveshjes e cila u nënshkrua mes Turqisë dhe Rusisë më 17 shtator 2018 në qytetin Soçi të Rusisë. Sulmet e Rusisë, regjimit dhe terroristëve me mbështetje iraniane të cilat kishin në objektiv rajonin e deeskalimit në Idlib, që nga fillimi i vitit 2019 e deri më tani shkaktuan zhvendosjen e rreth 1,3 milionë civilëve në zonat pranë kufirit me Turqinë. Ndërkohë që në bombardimet e kryera thuhet se kanë humbur jetën mbi 1.600 civilë./AA
Fraksion.com