“Anti-shpifja”; Komisioni i Medias rrëzon dekretin e Metës
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik rrëzoi sot dekretin e Presidentit të Republikës “Për kthimin e ligjit nr. 91/2019, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
E pranishme në Komision ishte Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila deklaroi se mazhoranca i qëndron kërkesës për rrëzimin e dekretit të Presidentit.
“I qëndrojmë argumentet tona për pasojat që tregu i parregulluar ka sjellë. I qëndrojmë kërkesës për rrëzim të dekretit të presidentit”, tha ajo.
“Qëllimi i paketës antishpifje është vendosja e rregullave për të parandaluar cenimin e dinjitetit të njeriut si dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve përmes një procesi të shpejtë administrativ dhe efikas”, u shpreh ministrja Gjonaj.
Ajo theksoi se, “një sërë vende si Gjermania apo Kroacia, kanë miratuar paketa më të ashpra antishpifje, duke njohur shpifjen si vepër penale”.
Gjonaj u shpreh se, “ligji ka të bëjë me rregullimin e tregut të gazetarëve. Në përgatitjen e paketës kemi punuar me OSBE e Këshillin e Europës”.
I pranishëm në komision ishte edhe këshilltari ligjor i Presidentit Meta, Bledar Dervishaj, i cili në fjalën e tij u shpreh se, disa dispozita të kësaj pakete bien në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe mbrojtjen e të drejtës së lirisë së shprehjes, duke përbërë rrezik për interesin publik.
“Një pjesë e dispozitave të ligjit janë hap me tendencë pozitive. Presidenti vlerëson ndryshimet e ligjit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Konstatohet se disa dispozita bien në kundërshtim me parimet kushtetuese, sigurinë juridike, mbrojtjen e të drejtës së lirisë së shprehjes dhe shtypit. E nevojshme që dispozitat të rishikohen, pasi përbëjnë rrezik të interesit publik.
Këto dispozita përmbajnë elemente të censurës. U jepet fuqi për masa ndëshkuese para se të ketë një vendim të formës së prerë. Masat ndëshkuese krijojnë hapësira që të aplikohen ndaj mediave online që janë kritike me qeverinë apo nuk i përshtaten vullnetit të saj. Një situate e tillë do e vendoste vendin në kufijtë e autoritarizmit dhe do ndikonte në procesin e integrimit europian. Ligji nuk sjell rregullimin e pritshëm”, tha Dervishaj.
Fraksion.com