AktualitetPolitikëTë fundit

“Amnistia”; Manja: Nuk përfitojnë përsëritësit e veprës penale dhe personat që i janë shmangur Drejtësisë

Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut Ulsi Manja tha sot, se “Amnistia ishte iniciativë e qeverisë, por amnistia është akt politik i vullnetit të kuvendit të Shqipërisë në finale dhe qëllimi i kësaj amnistie është përjashtimi tërësisht apo pjesërisht nga vuajtja e dënimit i të gjithë personave që plotësojnë kriteret e këtij ligji”.

Manja tha se nuk do ketë amnisti për veprat penale që janë në hetim, por vetëm për të dënuarit.

“Por, e veçanta kësaj amnistie është se merr në konsideratë vetëm dënimin dhe jo ndjekjen penale. Pra nuk do të ketë amnisti për çështjet që janë në ndjekje penale dhe në hetim në organet e prokurorisë, pra i referohet vetëm dënimit. Qëllimi i amnistisë dihet. Në radhë të parë është akt human i Kuvendit të Shqipërisë, por ka të bëjë edhe me qëllimin që ka dënimi. Po ashtu, merr në konsideratë rrezikshmërinë e ulët të veprës penale të personave, por dhe interesin publik. Kur flas për interesin publik kjo amnisti ka marrë në konsideratë sigurinë publike, sigurinë e gjithësecilit prej nesh, sigurinë e jetës, sigurinë e pronës private dhe publike por dhe sigurinë e shëndetit dhe qëllimi tjetër është rehabilitimi dhe risocializimi i personave të dënuar qoftë burra dhe djem, qoftë gra vajza dhe të mitur”, tha ai.

Manja shtoi se fokusi kryesor i kësaj amnistie siç është bërë e ditur edhe nga kryeministri dhe Komisioni i Ligjeve, është tek gratë dhe vajzat dhe të miturit.

“Kush përfiton? Aktualisht sot janë 5351 të dënuar dhe të paraburgosur mbi 2600 persona fitojnë amnisti. Persona të dënuar me vendim të prerë të gjykatës janë 54 gra dhe vajza, janë 4 të mitur dhe 2574 të dënuar burra dhe djem. Përfitues nga amnistia për shkak dhe të ndryshimit të kohës së deri kur i shtrin efektet kjo amnisti nga 30 shtatori 2019-30 dhjetor 2019 përafërsisht përfitojnë 175 të dënuar nga të cilët 150 janë burra dhe djem, 23 janë të dënuara femra dhe dy janë të mitur. Këto në momentin që hyn në fuqi ligji pas miratimit në Kuvend përfitojnë menjëherë dhe lirohen nga vuajtja e mëtejshme e dënimit. Ndërsa gratë dhe vajzat dhe të miturat që nuk përfitojnë  nga kjo amnisti iu zbritet 1/3 e dënimit dhe janë gjithsej 29 gra dhe vajza. Kush nuk përfiton? Nga kjo amnisti nuk përfiton një kategori e madhe e personave të dënuar për një grup veprash penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Po ashtu nga kjo amnisti nuk përfitojnë përsëritësit e veprës penale, si dhe personat që i janë shmangur drejtësisë”, tha ai.

Manja theksoi se të gjitha ata gjyqtarë dhe prokurorë që shkelin ligjin do inspektohen nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe do përgjigjen para ligjit.

Në lidhje me daljen nga burgjet e personave me rrezikshmëri të lartë Manja tha se “Nuk dua të paragjykoj vendimmarrjen e gjykatës, por ajo që vlen për t’u theksuar është se institucionet e reja të krijuara në kuadrin e Reformës në Drejtësi do të duhet të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura ligjore në përputhje dhe me ligjet e reja të reformës për ta qartësuar këtë situatë. Pushteti  gjyqësor me të vërtetë është i pavarur, kështu definohet nga Kushtetuta dhe ligjet e reja të reformës, pro asnjë pushtet nuk është i pavarur nga Kushtetuta dhe ligji, por edhe gjykatat japin llogari sipas Kushtetutës dhe ligjit. Dhe në rastin konkret Inspektori i Lartë i Drejtësisë që u votua në Kuvend shumë shpejt do fillojë nga puna, në vartësi të tij do jenë dhe trupat inspektuese të gjykatave dhe të sistemit të drejtësisë dhe për këto raste do të duhet të fillojnë inspektimin dhe kushdo që ka shkelur ligjin të marrë edhe ndëshkimin e duhur edhe ne radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

“Sepse qëllimi i Reformës në Drejtësi ishte për ta pastruar sistemin e drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Sigurisht është një fazë delikate e Reformës në Drejtësi dhe shumë gjyqtarë dhe prokurorë që janë në pritje për të kaluar në sitën e Vetingut kanë shfaqur shenja të abuzimit me ligjit”, tha ai. /ata

 

Fraksion.com