AktualitetBota+Të fundit

Virxhinia, protestë e aktivistëve pro-armëmbajtjes

Në shtetin Virxhinia, në jug të Uashingtonit, të hënën u protestua kundër ndryshimit të një ligji për armëmbajtjen. Aktiviteti i zhvilluar në kryeqytetin e Virxhinias, Richmond, shqetësoi zyrtarët për një dhunë të mundshme midis atyre që janë për armëmabjtjen dhe atyre që e kundërshtojnë këtë. Dhjetëra mijëra persona të armatosur, ishin pjesë e tubimit në afërsi të Kapitolit të Virxhinias. Ngjarja u zhvillua në ditën e përvitshme të lobimit për armët, që ka për qëllim mbrojtjen e amendamentit të dytë të kushtetutës amerikane i cili garanton të drejtën e armëmbajtjes.

Kjo nuk është një pamje e zakonshme në rrugët e një qyteti amerikan. Por në shtetin e Virxhinias, mbajtja në publik e armës është diçka e ligjshme.

Të hënën, mijëra protestues të armatosur u tubuan në Richmond, kryeqytetin e Virxhinias, që t’u kujtojnë ligjvënësve të shtetit se kushtetuta amerikane mbron të drejtën e armëmbajtjes.

I shqetësuar për dhunën që mund të shkaktohej nga grupe ekstremiste, guvernatori i Virxhinias Ralph Northman, shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe ndaloi mbajtjen e armës në hapësirat përreth Kapitolit në Richmond. Disa protestues u zemëruan, ndërsa të tjerë shprehën mirëkuptim.

“Këtu ka mijëra njerëz, por mjafton vetëm një që e gjithë kjo të përfundojë keq. Faleminderit Zotit që nuk ndodhi”, tha një protestues i maskuar.

“Guvernatori i shtetit i ka kaluar kufijtë, ai po mundohet të na çarmatosë”, tha protestuesi tjetër, Kevin Meade.

Virxhinia njihej si shtet konservator. Gjithçka ndryshoi në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, dhe tani demokratët kontrollojnë dhomën e përfaqësuesve në këtë shtet. Ata propozuan ndryshimin e ligjit të armëve, duke vënë kufizimin që një person lejohet të blejë vetëm një armë dore në muaj. Propozimi kërkon verifikimin e të kaluarës së personave si dhe ndalon armë automatike si si kjo.

“Një shprehje iraniane thotë: Një luan pa dhëmbë është si një komb pa armë”, tha iraniano-amerikani, Farhad Azari.

Një protestues tjetër kishte ardhur nga Karolina e Veriut për t’iu bashkuar protestës.

“Nëse nuk ndihmojmë banorët e Virxhinias, ose ata në Kaliforni, Nju Jork apo Karolinë e Veriut, kush do të na ndihmojë ne”, tha ai.

Protesta u shoqërua me prani të madhe policore, me shpresën se dhuna që ndodhi para dy vitesh në Charlottesville ku u vra një grua të mos ndodhte më.

Dita kaloi e qetë.

Ndërsa jashtë protestohej, disa studentë takuan një grup ligjvënësish demokratë.

“Me gjithë kërcënimet dhe retorikën e dhunshme që kemi për momentin, qëllimi ynë kryesor nuk është që të përfshihemi me ekstremistët e armëve sot. Jemi këtu që të dëgjohet zëri ynë, të kërkojmë që të miratohen ligjet e kontrollit të armëve”, tha Michael McCabe, aktivist kundër armëve.

Por aktivistët e armatosur thonë se nëse ligjet e kontrollit të armëve miratohen, ata do ta shfaqin zemërimin në zgjedhjet e ardhshme.

 

Fraksion.com