Richard Grenell nesër e pasnesër në Prishtinë dhe Beograd
Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të qëndrojë të enjten dhe të premten në Prishtinë dhe në Beograd.
Ambasadori Grenell viziton të dy kryeqytetet dy ditë pasi bashkë më këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, ndërmjetësoi një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd, në një përpjekje për përmirësimin e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve.
Gjatë vizitave në të dyja vendet në muajin tetor të vitit që kamë pas, zoti Grenell kishte theksuar se “administrata e Presidentit Trump fuqimisht beson që zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë dhe rritja e mundësive tregtare luajnë rol kryesor në sigurimin e paqes së qëndrueshme. Qëllimi është për t’i bërë bashkë partnerët tanë në Serbi dhe Kosovë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për pikat e konfliktit në rajon. Të dyja palët do të duhet të punojnë ngushtë dhe shpejtë duke shikuar nga e ardhmja”, thuhej në një deklaratë pas vizitave të asaj kohe në Kosovë dhe Serbi.
Vizita e tij në Kosovë ndodhë në një periudhë kur vendi ende nuk ka një qeveri të re pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit.
Mandatin për themelimin e qeverisë e mori në fillim të javës kryetari i lëvizjës Vetëvendosje, një parti politike që ishte kritike e rreptë e mënyrës se si janë zhvilluar bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Këto bisedime janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.
Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.
Fraksion.com