Rama në familjen Tafa në Zall-Herr: Të prekurit nga tërmeti, brenda këtij viti, shtëpi më të mira se ato që kishin
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Zall-Herr në shtëpinë e rindërtuar dhe mobiluar nga e para të familjes së Riza Tafës, ku pas tërmetit të 21 shtatorit kjo familje mbeti në qiell të hapur nga tërmeti.
Kryeministri Rama teksa i dorëzoi çelësin e shtëpisë vajzës së familjes, Xhensilës, tha se “ne bëjmë çfarë themi dhe themi çfarë bëjmë. Ne duam që si kjo familje, të gjithë familjet që humbën banesën e tyre individuale nga tërmeti i madh, të hyjnë në shtëpi të re, më të mirë se ajo që kishin, brenda këtij viti në të gjitha zonat jashtë qytetit”.
“Ne kemi plot që janë në çadër dhe presin shtëpinë. Duhet t’ua ndërtojmë patjetër, nuk mund t’i lëmë në çadër. Po bëjmë planet e ndërtimit e të gjithave, pasi duam ta bëjmë gjithçka më mirë, ashtu siç jeni ju këtu që është shumë mirë se ç’ishte shtëpia ekzistuese”-, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “kur mendon që kanë kaluar shumë pak kohë dhe fillojnë ankohen, e nuk ankohen ata që janë në çadër, por ata që rrinë në kafe dhe shikojnë televizor e bëjnë muhabete, ndërkohë që sot në Itali, që është gjithë ajo fuqi, janë nëpër kabina dhe presin shtëpitë, sot pas 15 viteve nga tërmetet në Itali”. Ne duam që grupin e atyre që kanë shtëpitë individuale ta mbyllim brenda këtij viti, të gjithëve t’u krijojmë mundësi që të kenë një shtëpi më të mirë se ajo që kishin brenda këtij viti”.
Duke folur për vizitën e djeshme në pikën e konfliktit në Ukrainë në cilësinë e kryetarit të OSEB-së, Kryeministri Rama tha se “dje kur shkuam atje tek zona e konfliktit në Ukrainë thosha me vete që shpesh herë dhe kështu është se njeriu harron shumë dhe e harron të keqen shpejt, mirë bëmë që i bëjmë krahasimet me Gjermaninë dhe Francën. Por kur shikon sesi jetojnë njerëzit dhe kur mendon si kemi qenë jo shumë larg përpara”.
“Më tha bukur njëri ‘Ishim të lumtur, por nuk e dinim’, tani ata jetojnë këtë situatë katastrofike me një urë dykalimëshe për njerëz , ku 10 mijë veta në ditë kalojnë nga një anë e urës deri në anën tjetër për të marrë pensionin , ilaçet me dy palë ushtarë me dy palë flamurë me snajper që gjuanin. Patjetër që ne nuk mund të kënaqemi me asgjë dhe duhet të bëjmë çmos të ketë më shumë, por duhet të shikojmë pak e dhe mbrapa, se nga jemi nisur dhe çfarë pune është bërë, sesa njerëzit e kanë ndryshuar jetën e tyre”, – theksoi Rama.
Gjatë bisedës , vajza e Rizait, Xhensila që është studente shprehet se “në kuadër të Paktit të Universitetit ajo dhe shumë studentë të tjerë përfituan bursa, për shkak të mesatares së lartë, ndërsa kanë përfituar edhe lehtësira të shumta me kartën e studentit”.
Kryeministri Rama tha se “në shtëpitë që kemi shkuar dhe i kemi ndihmuar të rindërtohen, seri në pikën që mësonin me çadër brenda se futej shiu dhe me të gjitha 10. Por ëhstë e vetmja rrugë për të dalë nga varfëria, dituria, sepse sa më shumë të fusësh këtu aq më shumë nesër ke mundësi të ecësh”.
Duke falënderuar Kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Veliaj, Xhensila tha se “shpresoj një ditë të bëhem dikush e t’ua shpërblej. Po ashtu falënderoj qeverisjen vendore, që pas tërmetit të 21 shtatorit na u gjend pranë, si dhe kompaninë “Pepa Group””.
Menjëherë pas tërmetit të 21 shtatorit, bashkia e Tiranës mori përsipër rindërtimin e të gjithë shtëpive të shpallura të pabanueshme. Thirrjes së saj iu bashkuan edhe shumë kompani të cilat bënë të mundur dhe futjen e familjeve të prekura në banesat e reja në kohë rekord.
Fraksion.com