Më shumë se 400 të infektuar në Kinë, koronavirusi edhe në SHBA
Autoritetet kineze u bënë thirrje njerëzve që të ndalojnë udhëtimin në dhe nga qyteti Vuhan, i cili është epiqendra e një virusi, nga i cili deri më tash kanë vdekur nëntë persona.
Rreth 8.9 milionë banorëve të qytetit, iu është thënë që të shmangin turmat dhe të minimizojnë tubimet publike.
Aktualisht është konfirmuar për 440 persona të prekur nga ky virus, që ka origjinën nga tregu i ushqimit të detit.
“Mos shkoni në Vuhan. Dhe për ata që janë në Vuhan – ju lutemi mos e braktisni qytetin”, tha zëvendëskryesuesja e Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë në Kinë, Li Bin.
Ndërkohë, në Gjenevë, një komitet i urgjencës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë po takohet për të vlerësuar rreziqet globale të paraqitura nga virusi dhe të vendosë nëse ai duhet të shpallet një emergjencë ndërkombëtare e shëndetit publik – siç është vepruar me gripin e derrit dhe sëmundjen e Ebolës.
Shenjat e infeksionit me virusin e ri, përfshijnë simptomat në organet e frymëmarrjes, ethe, kollë, dhe vështirësi në frymëmarrje.
Rasti i parë në SHBA u konfirmua të martën.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se situata ishte “plotësisht nën kontroll”.
Autoritetet në shumë vende, përfshirë Australinë, Singaporin, Hong Kongun, Tajvanin, SHBA-në, Rusinë dhe Japoninë kanë rritur kontrollin e pasagjerëve që udhëtojnë nga qyteti kinez Vuhan.
Fraksion.com