“Ku ndahet zona e konfliktit”; Rama në pikën e Kontrollit “Stanica Luganska” në Ukrainë, si kryetar i OSBE-së ( Video)
Kryetari i OSBE-së, Kryeministri Edi Rama ka vizituar ditën e djeshme ( emartë 21 janar) bazën e “Shiroky” në qytetin lindor Kharkivit, Ukrainë dhe pikën e Kontrollit “Stanica Luganska”, ku ndahet edhe zona e konfliktit.
Gjatë vizitës, në cilësinë e kryetarit të OSBE-së Rama pa nga afër situatën, ndërsa u takua më pas me forcat ushtarake që ndodhen në bazën e “Shiroky”.
Po ashtu, Rama vizitoi edhe pikën e Kontrollit “Stanica Luganska”, ku ushtarakët ukrainas e njohën me situatën, në zonën e nxehtë të konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë. Njëkohësisht Rama u njoh edhe me situatën humanitare në zonat e ndikuara nga konflikti dhe ndikimin praktik të SMM në terren.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp ditën e djeshme me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Vadym Prystaiko, Rama , theksoi se “nuk është rastësi që vizita ime e parë zyrtare si President i OSBE-së është në Ukrainë dhe reflekton rëndësinë e madhe që i jap adresimit të krizës në dhe rreth Ukrainës. Në këndvështrimin tim, kjo mbetet çështja më kryesore për sigurinë dhe stabilitetin në Europë sot. Do bëjmë më të mirën tonë që të garantojmë respektimin e parimeve të OSBE-së dhe angazhimit të saj, e sigurisht do të inkurajojmë fort zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Minskut, në mbështetje të përpjekjeve nga Grupi Trepalësh i Kontaktit, si dhe procesit të Formatit të Normandisë”.
“Ndërkohë që marrëveshjet e kontaktit dhe të Formatit po diskutohen prej kohësh e mbase do na duhet ende shumë kohë, ajo që mbetet thelbësore, çdo ditë është jeta e njerëzve dhe vështirësitë me të cilat duhet të përballen të gjithë ata që jetojnë në zonat e konfliktit. Aty do të punojmë pandërprerë, për të bërë çdo gjë të mundur sepse duhet të garantojmë ndalimin e zjarrit dhe armëpushimi i qëndrueshëm është absolutisht jetësor së pari e më e rëndësishmja për jetën e njerëzve. Konflikti vazhdon të marrë jetën e qytetarëve të pafajshëm dhe kjo është e papranueshme dhe kjo duhet të ndalojë. Prandaj qëllimi ynë, së pari e mbi të gjitha është të garantojmë armëpushim të plotë e të qëndrueshëm”,- theksoi Rama.
Bashkë me delegacionin që e shoqëron, Rama u nis mëngjesin e sotëm me një helikopter ushtarak nga aeroporti Chuguev në Kharkivit, Ukrainë.
Vizitën e tij të parë zyrtare si President i OSBE-së, Kryeministri Edi Rama e zhvilloi në Ukrainë dhe kjo sipas tij, “reflekton rëndësinë e madhe që i jep adresimit të krizës në dhe rreth Ukrainës”.
Gjatë qëndrimit në Ukrainë Kryeministri Rama zhvilloi takime me autoritetet më të larta të vendit.
Gjatë qëndrimit në Ukrainë Kryeministri Rama zhvilloi takime me autoritetet më të larta të vendit.
Fraksion.com