AktualitetPolitikëTë fundit

Në Ukrainë si kryetar i OSBE-së; Rama në aeroportin ushtarak Chuguev drejt Zonës Lindore të konfliktit

Kryeministri Edi Rama u nis mëngjesin e sotëm nga aeroporti ushtarak Chuguev në Ukrainë, drejt pikës së kontaktit me ata që e kundërshtojnë regjimin.

Në cilësinë e kryetarit të OSBE-së, Kryeministri Rama ndodhet prej ditës së djeshme në Ukrainë, ku zhvilloi takime me autoritetet më të larta të vendit.

Bashkë me delegacionin që e shoqëron, ai u nis mëngjesin e sotëm me një helikopter ushtarak nga aeroporti Chuguev në Kharkivit, Ukrainë, drejt pikës së kontaktit me ata që e kundërshtojnë regjimin.

Pjesë e delegacionit, ambasadori i Shqipërisë pranë Misionit të OSBE-së dhe Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë, Igli Hasani u shpreh se “mund të inspektojmë masat e sigurisë të kolegëve ukrainas”.

“Këtu jemi në një helikopter ushtarak ukrainas, që do të na çojë drejt pikës së kontaktit me ata që e kundërshtojnë regjimin. Udhëtimi do të zgjasë rreth 1 orë. Ky është aeroport ushtarak. Mund të inspektojmë masat e sigurisë të kolegëve ukrainas”, informoi Hasani.

Dje gjatë takimeve me Presidentin, kryeministrin, kryetarin e kuvendit dhe ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Rama u shpreh se dëshiron që ta shikojë vetë personalisht gjendjen në lindje.

“Shpresoj shumë të mbajë koha e të na lejojë ta përfundojmë këtë vizitë me një udhëtim drejt Ukrainës lindore, ku dua të shoh me sytë e mi situatën e sigurisë dhe atë humanitare në zonat e ndikuara nga konflikti dhe ndikimin praktik të SMM në terren” tha dje kryeministri.

 

Fraksion.com