AktualitetOp-Ed

Fajësimi i Donald Trump: Ç’pritet të ndodhë, dhe çfarë është në lojë

Nga Elie Honig

Ndërsa gjyqi i fajësimit të presidentit Donald Trump nis sot, mbeten shumë pikëpyetje se si do të zhvillohet ky proces, dhe si do të ndikojë ai tek fati i presidencës Trump. Por një gjë është mëse e sigurtë:në lojë janë shumë gjëra, për Trumpin, për ata që e rrethojnë, dhe për Shtetet e Bashkuara.

Po çfarë është në lojë?

Në nivelin më themelor, në lojë është presidenca e Trumpit. Në skenarin jashtëzakonisht të pamundur, kur 2/3 e Senatit – 67 nga 100 senatorë – votojnë për fajësimin e tij, Trump shkarkohet menjëherë nga detyra dhe zv/presidenti Majk Pens betohet si presidenti i ri i SHBA-së.

Por edhe nëse ai nuk dënohet dhe nuk largohet nga detyra, perspektiva politike e Trumpit për presidencialet e këtij viti, dhe vendi i tij në histori, do të varet kryesisht nga forca e provave dhe argumenteve të sjella nga ekipi i hetuesve në Kongres, që po merren me çështjen e fajësimit.

Përtej Trumpit, gjyqi mbart pasoja të gjera për njerëzit në “orbitën” e tij, që morën pjesë në planin për të pezulluar ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës:Rudi Xhuliani, Mik Malvanej, Majk Pompeo etj. Dhe e ardhmja politike e senatorëve, që janë në rolin e gjyqtarëve në gjyqin ndaj Trump, mund të varet pikërisht nga mënyra se si do votojnë ata, por edhe nga pyetjet kryesore të procesit.

A do të kemi dëshmitarë në gjyq?

Kjo çështje kryesore procedurale, mbetet ende e pazgjidhur. Udhëheqësi i mazhorancës në Senat, Miç Mekonell, ka refuzuar me vendosmëri të pranojë kërkesën e kreut të pakicës Çak Shumer dhe të tjerëve, për të thirrur dëshmitarë në këtë gjyq.

Mekonell ka përdorur “modelin Klinton” – bazuar në procedurën e përdorur në gjyqin e fajësimit të presidentit Bill Klinton në vitin 1999 – ku u shty pyetja e dëshmitarëve, deri kur palët të parashtrojnë argumentet e tyre kryesore. Ekzistojnë 3 mënyra të mundshme, sesi mund të zgjidhet kjo çështje.

Së pari, palët mund të hyjnë në një marrëveshje të negociuar. Ndërsa Mekonell dhe Shumer duket se janë në një ngërç, ata as nuk ia kanë mbyllur derën mundësisë së negociatave shtesë. Së dyti, secila nga palët mund ta çojë këtë çështjen tek kreu i Gjykatës së Lartë Xhon Roberts. Rregullat e brendshme të Senatit, i japin mundësi Robertsit të vendosë mbi çështjen e provave, të cilat do të përfshijnë edhe thirrjen e dëshmitarëve.

Së treti, për këtë gjë mund të vendosë vetë Senati. Sipas rregullores, Roberts ose mund të vendosë mbi çështjen e provave, ose ta shtrojë këtë çështje për votim me shumicën e votave në Senat. Rregullat e Senatit parashikojnë që nëse Roberts merr një vendim, atëherë Senati mund ta rrëzojë atë me shumicë votash.

A do të dalë nga radhët partiake ndonjë senator?

Në këtë fazë të hershme, nuk ka asnjë tregues të forte, se ndonjë nga 53 republikanët e Senatit do të votojë për të fajësuar Trumpin, apo që ndonjë nga 47 demokratët (përfshirë 2 të pavarur, që bëjnë pjesë në grupin e demokratëve) do të votojë për ta liruar atë nga akuzat. Por ka shenja, se disa republikanë mund të votojnë së bashku me demokratët, në favor të thirrjes dhe dëgjimit të dëshmitarëve.

Senatorët republikanë si Suzan Kolins, Mit Romni, Liza Murkovski dhe Lamar Aleksandër, janë shprehur të gatshëm të votojnë pro dëgjimit të dëshmitarëve. Nëse 4 republikanë dalin nga rreshti dhe votojnë si demokratët, atëherë dëshmitarët do të jenë protagonistët kryesorë, gjë që do të rrisë nivelin e dramës dhe paparashikueshmërisë së gjyqit.

A do të kemi zbulimin e fakteve të reja dhe të panjohura deri tani?

Qëkur Kongresi nisi impeachment-in ndaj Trumpit më 18 dhjetor 2019, ne kemi parë një rrjedhë të qëndrueshme informacionesh të reja, mbi skemën e Trump për të ndalur ndihmën e huaj ndaj Ukrainës. Disa komunikime në postën elektronike, treguan se një zyrtar i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, urdhëroi pezullimin e ndihmës ndaj Kievit me urdhër nga lart.

Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare Xhon Bolton, njoftoi se do të dëshmojë nëse do t’i kërkohet nga Senati. Dhe Lev Parnas, bashkëpunëtori i Xhiulianit, detajoi publikisht punën e tij me Xhulianin dhe të tjerët, për të zbatuar skemën e Trump mbi Ukrainën. Pra duket e sigurtë, se

do të kemi zbulim të fakteve të reja gjatë vijimit të gjyqit në Senat.

Dhe kjo sepse dëshmitarët kryesorë si Malvanej dhe Pompeo, kanë ndjekur udhëzimet e Shtëpisë së Bardhë, nuk pranuan të dëshmojnë deri më tani, dhe shumëçka mbetet e panjohur. Duke pasur parasysh këtë situatë, gazetarët do të vazhdojnë të zbulojnë fakte të reja, dhe ndoshta më shumë njerëz do të jenë të gatshëm të dalin në skenë dhe do të flasin.

Nuk ka asnjë arsye të pritet që bota të heshtë, teksa ndodh gjyqi brenda Senatit. Teksa gjyqi nis këtë javë, shumë gjëra mbeten ende të panjohura. Bota dhe historia do të jenë duke parë./CNN, Bota.al

 

Fraksion.com