“Enver Hoxha i parë në film”; Iu besua roli që në kinoprovën e parë, aktori: Ju tregoj për skenat intime me Nexhmijen në kohën e komunizmit
Neritan Liçaj “ringjall” Enver Hoxhën me në krah Nexhmijen, për herë të parë në një film artistik me titull “Gjirokastra”.
Ka romancë dhe dramë, pasi filmi trajton temën e ashpërsisë me të cilën diktatura goditi familjet e krijuara mes martesave ruso-shqiptare. Prej 40 ditësh, qyteti i gurtë u kthye në sheshxhirim, ku artisti i famshëm rus, Juri Arabov, bashkautor me shkrimtain Ismail Kadare realizuan skenarin që mban emrin e qytetit të tij lindjes.
Aktorët Neritan Liçaj dhe Linda Jarani vijnë nën lëkurën e çiftit historik të komunizmit. Ngjarjet e filmit lidhen me vuajtjet që kaluan me dhjetëra familje shqiptaro-ruse pas prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik në vitin 1961. Filmi artistik shqiptaro–rus vjen nga bashkëpunimi i producentëve Loreta Mokini dhe Ella Arkangelskaia.
Në qendër të historisë është një arkeolog shqiptar, që dashurohet me një nga vajzat ruse, që Kadareja në mënyrë simbolike i ka emërtuar “Sorkadhet e trembura”.
Për përjetimet e Enver Hoxhës së parë që do të shfaqet në ekranin e madh të kinemasë, skenat intime me Nexhmijen dhe si u ndje nën lëkurën e Hoxhës që u largua nga kjo botë kur Neritani ishte 17 vjeç, aktori i njohur i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.
Rimishëron Enver Hoxhën në filmin e ri me metrazh të gjatë, “Gjirokastra”. Si e prite rolin dhe t’u desh kohë për ta përvetësuar si karakter?
Neritan Liçaj: E prita me përgjegjësi të madhe. Sepse është hera e parë që figura e Hoxhës shfaqet në një film me metrazh të gjatë. Gjithashtu sepse është një figurë historike, e cila ende është shumë e freskët në mendjen e shqiptarëve.
Pra, ka shumë ndjeshmëri të ndryshme me këtë figurë. Për shembull, nëse i madhi Sandër Prosi portretizoi Isamil Qemalin, që ishte një figurë shumë e bukur historike, por pak e largët për shqiptarët e kohës kur u xhirua filmi (fakt që paraqet dhe vështirësi për aktorin, prandaj Sandri ishte i madh), Hoxhën shumë shqiptarë e kanë të freskët si figurë.
Kështu, materiali qoftë historik, apo qoftë viziv ishte më i bollshëm. Kur ka ndërruar jetë Enver Hoxha, unë për shembull kam qenë 17 vjeç, pra e kam pranë si figurë.
Ndjetë kimi me Linda Jaranin dhe sa t’u përshtat si gruaja jote autoritare në film Nexhmija?
Neritan Liçaj: Patëm një bashkëpunim shumë të frytshëm dhe të mirë me Lindën. U krijua një kimi shumë e mirë dhe u përshtatëm shumë mirë me njëri-tjetrin.
Ndërkohë që personazhi yt s’jeton më, bashkëshortja Nexhmija është ende gjallë. E morët në konsideratë faktin që ky film mund të përballet me syrin kritik të Nexhmijes?
Neritan Liçaj: Sigurisht që i mora për bazë, jo vetëm me bashkëshorten e Hoxhës, por dhe me fëmijët, nipërit, mbesat dhe pjesëtarë të tjerë të familjes që e kanë pasur pranë, si dhe persona të tjerë që jetojnë ende.
Personazhet tuaja janë pozitive apo negative në këtë film?
Neritan Liçaj: Nuk i klasifikoj dot në personazhe pozitive apo negative. Kjo mbetet një reminishencë e realizmit socialist. Përveç kësaj, filmi nuk merr përsipër të bëjë as histori, as opinion mbi ato figura. Në skenar janë skena jopolitike, por skena të jetës së tyre jopolitike. Besoj do ta kuptoni kur të shihni filmin.
Ngjarjet zhvillohen rreth çiftit shqiptaro-rus, që interpretohet nga aktorët Besmir Bitraku dhe Polina Liske. A mund të na zbulosh një sekuencë nga takimi i tyre, që vë në lëvizje zhvillimin e subjektit?
Neritan Liçaj: Çifti interpretohet nga Besmir Bitraku dhe aktorja ruse, Polina Liske, e cila luan rolin e Katerina Andrenjevës. Takohen rastësisht në Galeri të Arteve dhe bisedojnë…
Duke intepretuar, e ke ndjerë magjinë e pushtetit dhe peshën e të qenit “diktator?” Çfarë ndjesie ishte?
Neritan Liçaj: Jo. Magjinë e pushtetit s’e kam ndjerë, sepse ajo ndihet kur e ke. Përveç kësaj, e shpjegova më lart që skenat janë shumë intime, pra nuk ka skena politike si figurë.
Kjo është hera e parë që një aktor intepreton Enver Hoxhën, ndihesh me fat?
Neritan Liçaj: Po, hera e parë dhe pa diskutim që përgjegjësija është shumë e madhe, sepse sigurisht do të shikohet me shumë ndjesi të ndryshme kur filmi të shfaqet në kinema. Dhe natyrshëm, kjo të vë para një përgjegjësie të konsiderueshme.
Nga “Zekatet”, “Qafa e Pazarit”, te Qendra Kulturore”Musine Kokalari”, kështjella e qytetit dhe Parku Arkeologjik i Antigonesë. Si do të vijë Gjirokastra e atyre viteve në këtë film dhe ku keni xhiruar për të qenë më afër?
Neritan Liçaj: Të them të drejtën, unë nuk kam xhiruar në Gjirokastër, sepse skenat e Enverit ishin të gjitha në Tiranë, prandaj s’di të them. Por regjisori ishte shumë i kënaqur nga xhirimet në Gjirokastër.
Në filmin që pritet të shfaqet së shpejti në kinematë botërore luajnë aktorë të njohur si: Tinka Kurti, Kastriot Çaushi, Myzafer Zifla, Gent Hazizaj, Artan Imami etj. Ke pasur konkurrentë për rolin e Enverit dhe kë?
Neritan Liçaj: Nuk di të të them në kam pasur konkurrentë të tjerë. Di këtë, që roli më është besuar që në kinoprovën e parë, ku në fakt vajta për një rol tjetër, por më kaluan menjëherë te roli i Hoxhës.
Brenda mendjes, trupit dhe shpirtit të një udhëheqësi shteti të Shqipërisë komuniste, si je ndjerë?
Neritan Liçaj: E vështirë të them si jam ndjerë. Ka qenë një kompleksitet emocionesh dhe ndjesish, që s’mund të përshkruhen me fjalë. Por, siç e thashë më parë, përgjegjësia ishte e madhe. /Intervista e botuar ne suplementin ‘Panoramaplus.al’, datë 18 janar 2020/
Fraksion.com