AktualitetKosovaTë fundit

Dy javë për Kurtin

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka afat prej dy javësh që ta formojë Qeverinë e re të Kosovës, kryeministër i së cilës do të ishte ai ose në të kundërtën, mbetet në diskrecionin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, se kush do të jetë mandatari i dytë për formimin e qeverisë së re, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Pas propozimit të Albin Kurtit si mandatar për kryeministër të ri të Kosovësnga Lëvizja Vetëvendosje dhe dekretimit të këtij propozimi nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, të cilin ky i fundit e ka dërguar në Kuvendin e Kosovës, të hënën, ka nisur rrjedhja e afatit të parë ligjor prej 15 ditësh, për krijimin e qeverisë së re të vendit.

Marrë parasysh tentativat e deritashme të pasuksesshme për krijimin e një koalicioni ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas njohësve të zhvillimeve politike, gjatë dy javëve të ardhshme priten skenarë të ndryshëm për gjetjen e një zgjidhjeje për formimin e qeverisë së re, në mënyrë që vendit’i shmangë zgjedhjet e parakohshme.

Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që gjatë 15 ditëve të ardhshme, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës mund të synojnë sërish që të konkretizojnë një marrëveshje për koalicion qeverisës. Në të kundërtën, sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje mund të propozojë një qeveri të pakicës nga ana e saj, me shpresën që t’i marrë 61 vota në Kuvendin e Kosovës për të nisur mandatin qeverisës.

“Nëse brenda këtyre 15 ditëve nuk e kemi një marrëveshje ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së për një koalicion dhe e dyta, ku qeveria Kurti, e pakicës, nuk do t’i merrte votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës, atëherë shkojmë të skenari i tretë. Ky ka të bëjë me mandatarin e dytë, që e parasheh Kushtetuta e Kosovës, në kuadër të së cilës i mbetet një rol më aktiv dhe më i përfshirë i presidentit të Republikës, ku me anë të Kushtetutës do t’i jepet mandati partisë, të cilën e vlerëson presidenti i vendit se do të mund të formojë qeverinë”, ka thënë Krasniqi.

Sipas Kushtetutës së vendit, në rast se dështon formimi i qeverisë nga mandatari i parë për kryeministër, presidenti ka diskrecionin që të emërojë mandatarin e dytë për formimin e qeverisë brenda afatit ligjor prej 10 ditësh.

Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se gjatë dy javëve të ardhshme do të sqarohet nëse lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti do të jetë ose jo kryeministër i Kosovës, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Sipas tij, në rast se ai nuk arrin të formojë qeverinë e koalicionit me LDK-në ose nëse nuk merr votat e mjaftueshme për qeverinë pakicës, atëherë presidenti i vendit, mund ta shfrytëzojë diskrecionin që ka dhe ta emërojë mandatarin tjetër.

“Është një lloj i diskrecionit të presidentit, që nuk është shumë i qartë, se a e jep presidenti prapë mandatin te Vetëvendosja, por që nuk është Kurti, sepse patjetër që ai nuk mund të jetë për herë të dytë. Partia pastaj mund ta propozojë dikë tjetër ose edhe mund të japë kandidaturën te partia e dytë apo partia e tretë, varësisht se kush mund të dëshmojë se e ka shumicën e nevojshme në kuvend që ta krijojë qeverinë”.

“Në një mënyrë ose tjetër, sido që të interpretohet, Kurti tash i ka 15 ditë dhe nëse brenda këtyre 15 ditëve nuk bëhet kryeministër, atëherë, me gjasë, me rezultatin e këtyre zgjedhjeve, nuk mund të bëhet më kryeministër”, theksoi Demhasaj.

Por, ndryshe mendon Krasniqi. Sipas saj, diskrecioni i presidentit nuk e përjashton mundësinë që nga Lëvizja Vetëvendosje të kërkohet mandatari për herë të dytë dhe që sërish të jetë Kurti.

“Kurti mund të jetë edhe në herën e dytë, absolutisht. Gjykata Kushtetuese nuk e përjashton si mundësi. Mbetet në diskrecion të presidentit të vendosë se kujt do t’ia japë mandatin në radhën e dytë. Ne nuk kemi pasur më parë një situatë të ngjashme në Kosovë, ku ne kemi kaluar në shkallën e dytë, pra kur partia e parë fituese nuk ka arritur të bëjë qeverinë pas marrjes së mandatarit. Nëse do të shkonim në raundin e dytë, do të ishte një situatë e re e paprecedent për Kosovën, ku Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e saj, e ka përcaktuar se është në diskrecion të presidentit”, u shpreh Krasniqi.

Megjithatë, Demhasaj i sheh këto vetëm si mundësi teorike, përfshirë edhe mundësinë e një qeverie të pakicës, e cila eventualisht do t’i merrte votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës.

“Është shumë problem për të qeverisur, në sisteme të tilla parlamentare, me qeveri të pakicës dhe nuk besoj se as LDK e as Vetëvendosje që synojnë që ta kenë një qeverisje të tillë. Opsioni i zgjedhjeve është gjithmonë në tavolinë, 50 me 50. Për faktin se jemi duke i parë se si po veprojnë dhe si po këmbëngulin për shkaqe të inateve të së kaluarës, të gjitha këto partitë politike, sidomos Vetëvendosje dhe LDK-ja, atëherë, gjasat e zgjedhjeve të parakohshme janë shuam reale”, vlerësoi Demhasaj.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nisur negociatat për krijimin e një koalicioni qeverisës menjëherë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ndërkaq, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 27 nëntor, ato nisën punë për harmonizimin e programit qeverisës.

Megjithatë, për shkak të mospajtimeve të caktuara, ato ende nuk kanë arritur një marrëveshje, ndërkaq që negociatat, tash për tash, janë ndërprerë dhe ende nuk ka ndonjë paralajmërim që mund të ketë ndonjë nismë për vazhdimin e tyre./REL

 

Fraksion.com