Bardhi: PD do rishikojë Reformën Territoriale
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi tha sot nga Korça se Reforma Territoriale ka dështuar dhe se rishikimi i saj është prioritet absolut i Partisë Demokratike.
Bardhi tha se në mbledhjet e Kryesisë së Degëve Korçë, Pogradec, Devoll, Kolonjë dhe Maliq, ka siguruar për planin konkret për nxjerrjen e vendit nga kriza e thellë ekonomike ku është përfshirë si pasojë e keqqeverisjes.
“Ndamë bashkërisht shqetësimin se Reforma Territoriale, e miratuar në mënyrë të njëanshme dhe për qëllime politike, ka qenë një dështim dhe ka cenuar rëndë interesin e qytetarëve. Ata janë të braktisur. Bashkitë dhe administrata e tejfryrë nuk janë më në shërbim të qytetarëve. Rishikimi i reformës territoriale është prioritet absolut i Partisë Demokratike!”, tha Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Bardhi gjatë takimit me strukturat e PD-së Korçë tha se beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme ka vetëm një qëllim: Qytetarët të zgjedhin Qeverinë që u jep zgjidhje halleve dhe problemeve të tyre, që punon për ta, që jep llogari përpara tyre dhe që ka frikë nga vota dhe vullneti i qytetarëve”.
Fraksion.com