AktualitetTë fundit

100-vjetori i parlamentarizmit; Ruçi: Kuvendi, përkushtim për integrimin në BE

Në 100-vjetorin e parlamentarizmit shqiptar, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi siguroi se “Kuvendi do vazhdojë të punojë me përkushtim për të afruar sa më shpejtë të jetë e mundur hapjen e negociatave për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian”.

Ruçi përshëndeti Konferencën Shkencore të zhvilluar sot në Pallatin e Kongreseve, kushtuar 100-vjetorit të themelimit të parlamentarizmit shqiptar. Ai shprehu mirënjohjen për veprimtarinë dhe kontributin e të gjithë parlamentarëve shqiptarë në zhvillimin, përparimin e demokratizimin e Shqipërisë.

Ruçi kujtoi vendimet e mëdha historike të Kuvendit Kombëtar të Lushnjës në 21 janar 1920, për të mos lejuar copëtimin e mëtejshëm të trungut kombëtar.

“Në përfundim të Luftës së Parë Botërore, 3 nga 6 Fuqitë e Mëdha europiane, vendosën të ricoptonin Shqipërinë. Kombi shqiptar u ndodh në një nga udhëkryqet më të vështira të ekzistencës së tij. Kishte ardhur ora e rizgjimit, e mobilizimit të energjive për shpëtim kombëtar. Kësaj thirrjeje iu përgjigj pararoja e ndërgjegjes kombëtare, burrat prijës atdhetarë. Këta burra, në 21 janar 1920, u mblodhën në Kuvendin Kombëtar të Lushnjës dhe morën vendime të mëdha historike për të mos lejuar copëtimin e mëtejshëm të trungut kombëtar”, tha Ruçi.

Ruçi tha se “ata përsosën dhe plotësuan vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, ringritën institucionet përfaqësuese e qeverisëse të shtetit dhe u dërguan kancelarive europiane dhe SHBA-së mesazhin se shqiptarët janë të vendosur të luftojnë deri në fund për të qenë të lirë e të pavarur”.

“Ndryshimet demokratike që nisën në dhjetor 1990 hapën një kapitull të ri edhe për parlamentarizmin shqiptar”, tha Ruçi.

Parlamentet e gati 30 viteve të Shqipërisë pluraliste e demokratike, sipas tij, “kanë dhënë kontribute të çmuara në ndërtimin e forcimin e rendit demokratik, të shtetit ligjor, qeverisjes së mirë dhe në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit”.

“Meritë e veçantë e parlamentarizmit të këtyre viteve janë hartimi dhe miratimi i Kushtetutës së vitit 1998, korpusi i ligjeve shqiptare të harmonizuara në frymë e në përmbajtje me legjislacionin europian, e sidomos diskutimi dhe aprovimi vitet e fundit i paketës ligjore për reformën në drejtësi”, theksoi ai.

Ruçi tha se “Kuvendi ka një detyrë tepër të rëndësishme gjatë këtij viti. Shqipëria sapo ka marrë Kryesinë e radhës të OSBE për vitin 2020. Kjo përgjegjësi është një nder, por edhe një sfidë e madhe”, nënvizoi Ruçi.

Në këtë veprimtari, morën pjesë ish-drejtues të Kuvendit, të grupeve parlamentare dhe të qeverive të Shqipërisë, deputetë dhe ish-deputetë, anëtarë të kabinetit qeveritar, drejtues e përfaqësues të komuniteteve fetare, drejtues të qeverisjes vendore dhe institucioneve kushtetuese, akademikë e historianë nga Shqipëria, Kosova e SHBA, përfaqësues të medies etj.

 

Fraksion.com