Rama në Ukrainë: Nis takimet si Kryetar i OSBE-së
Nga Kievi i Ukrainës, Kryeministri Rama ka postuar një video mëngjesin e sotëm nga ku ka nisur dhe axhendën e takimeve si kryetar i Presidencës së OSBE-së.
Nën flokët e dëborës, i shoqëruar nga delegacioni dhe ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, ndërsa njofton nisjen e agjendës së tij të takimeve kryeministri shkruan, “Ditë takimesh me autoritetet e larta të vendit në cilësinë e Kryetarit në Detyrë të OSBE – Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me ministrin Vadym Prystaiko”.
Në cilësinë e kryetarit të zyrës së OSBE-së, Edi Rama do të zhvillojë sot takime në Kiev me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, kryeministrin Honcharuk, ministrin e Jashtëm Prystaiko dhe kryetarin e Parlamentit Dmytro Razumkov.
Pas takimeve do të ketë një konferencë shtypi me ministrin e Jashtëm të Ukrainës. Në faqen zyrtare të OSBE-së theksohet se bisedimet do të përqendrohen në forcimin e bashkëpunimit midis OSBE-së dhe Ukrainës, në punën e Misionit të posaçëm të monitorimit të OSBE-së (SMM) në Ukrainë, dhe në përpjekjet për një zgjidhje paqësore.
Në Kiev, Rama do të takohet gjithashtu me stafin e SMM, Koordinatorin e Projektit në Ukrainë, dhe Përfaqësuesin e tij Special në Ukrainë dhe në Grupin e Kontaktit Trilateral.
Ndërkohë që në datë 21 janar kreu i qeverisë shqiptare do të vizitojë Ukrainën lindore për të parë nga afër zonën e prekur nga konflikti. “Zgjedhja e Kievit si vizitë e parë pasqyron rëndësinë e madhe që ai i kushton përpjekjeve të OSBE-së për të adresuar krizën në Ukrainë, sfida më e ngutshme për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë sot” thuhet në faqen zyrtare të OSBE-së. Për vitin 2020 Shqipëria ka presidencën e OSBE-së.
Postimi i Z. Rama:
Kiev, Ukrainë: Ditë takimesh me autoritetet e larta të vendit në cilësinë e Kryetarit në Detyrë të OSBE – Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me ministrin Vadym Prystaiko
Fraksion.com