AktualitetKosovaTë fundit

“Pavarësisht veprimeve të njëanshme nga LVV-ja”; LDK: Jemi të hapur për marrëveshje

Ndonëse ende nuk kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje sot i ka dorëzuar presidentit Hashim Thaçi, emrin e Albin Kurtit si mandatar për formimin e Qeverisë.

Pavarësisht këtij veprimi që po cilësohet i njëanshëm nga LDK, të njëjtit thonë se janë të hapur për marrëveshje.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti në një prononcim për Telegrafin u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje duhet ta marrë përgjegjësinë për krijimin e institucioneve.

“Arritja e marrëveshjes është në dorën e VV-së. Pavarësisht veprimit të njëanshëm më 26 dhjetor 2019, si dhe letrës së gjatë me cilësime të pavend e të panevojshme që pranuam në javën që shkoi, ne ende mbesim të hapur për marrëveshje. VV-ja duhet të marrë përsipër përgjegjësinë në krijimin e institucioneve të reja sipas kushtetutës”, u shpreh Hoti.

Hoti më tej theksoi se kanë bërë tri kompromise për të arritur marrëveshjen.

“Ne kemi shprehur gatishmërinë për të punuar së bashku. Ne kemi negociuar me ta një program qeverisës për tri javë rresht. Ne kemi bërë tri kompromise për të arritur marrëveshje. Tani është në dorën e tyre”, tha Hoti.

Ndryshe, lideri i LVV-së, Albin Kurti përmes një video mesazhi tha se sot se ende nuk kanë arritur marrëveshje me LDK-në, por se duhet dhe janë të gatshëm të kthehen në tavolinën e bisedimeve.

“E theksoj përsëri: nuk mund të kthehemi në të kaluarën, nuk mund të kthehemi në vitin 2019. Ata s’e kanë pranuar propozimin tonë të fundit, ndonëse, ndryshe nga dakordimi, nuk e trajtuan fare në Këshillin e tyre të Përgjithshëm. Qëndrimi se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pra, qasja ‘Merre ose lëre’, do të thotë lëre. Unë besoj se ne mund të kthehemi dhe e kemi detyrim ndaj të gjithë jush që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve, për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes sonë”, tha ai. /Telegrafi

 

Fraksion.com