AktualitetPolitikëTë fundit

“Marrëdhënie dypalëshe shumë të mira me Shqipërinë”/ Ministri i Jashtëm i Ukrainës: Besoj se ky vit do të jetë shumë i suksesshëm për OSBE-në

Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Vadym Prystaiko, gjatë takimit me Kryeministrin Edi Rama duke shprehur besimin se ky vit do të jetë shumë i suksesshëm për OSBE-në, theksoi se “jam i sigurt që ne do të kemi marrëdhënie dypalëshe shumë të mira mes Ukrainës dhe Shqipërisë”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, pas takimit të zhvilluar në Kiev, Ukrainë, ministri Prystaiko tha se “diskutuam me Kryeministrin Rama si të ndërtojmë një bashkëpunim më të mirë brenda OSBE-së dhe pritshmëritë e Ukrainës nga veprimtaritë e OSBE-së dhe veçanërisht nga veprimtaritë e misionit special të monitorimit dhe kemi aplikuar formalisht për zgjatjen e këtij misioni në Ukrainë, jo vetëm për mandatin e tij, por edhe për zgjerimin e burimeve të saj njerëzore dhe financiare në mënyrë që të shtohet eficenca e misionit këtë vit”.

“Kemi diskutuar edhe mbi një çështje delikate që ka të bëjë me marrëdhëniet me Federatën Ruse, zgjidhja politike e krizës, situata në lindje, Krimea. Të gjitha këto çështje u diskutuan me kolegët tanë të OSBE-së. Besoj se ky vit do të jetë shumë i suksesshëm për OSBE-në dhe jam i sigurt që ne do të kemi marrëdhënie dypalëshe shumë të mira mes Ukrainës dhe Shqipërisë”,- nënvizoi Prystaiko.

Ministri ukrainas tha se “për shumë kohë kemi punuar që të hapim një ambasadë të Ukrainës në Tiranë dhe këtë vit do ta hapim e ky do të jetë një hap më shumë drejt marrëdhënieve më të afërta mes nesh”.

Ndër të tjera ministri Prystaiko u shpreh se “sot kemi një mundësi unike të flasim, pas takimit tonë me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë. Ai ka edhe dy pozicione të tjera aktualisht, pasi këtë vit ka marrë përsipër edhe pozicionin e presidentit të OSBE-së”.

“Do ju kërkoja që të tregoheni shumë diplomatik me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, pasi ai ka shumë takime sot. Së pari do të takohet me Kryeministrin tonë, pastaj Presidentin dhe më vonë me zyrtarë të tjerë të lartë dhe ka shumë për të diskutuar me ta. Sigurisht, kemi pasur mundësinë të nënshkruajmë negociata dypalëshe me delegacionin shqiptar, por edhe i kemi kushtuar më shumë vëmendje arritjeve që duhet të shënojmë këtë vit dhe sa më i mirë duhet të jetë progresi drejt rezolutës së paqes në Ukrainën lindore”,  tha Prystaiko./atsh

 

Fraksion.com