AktualitetKosovaTë fundit

15 ditët kritike të Albin Kurtit: A do të merret vesh me LDK’në për koalicion?

Vetëm 15 ditë i mbesin, që nga sot, Lëvizjes Vetëvendosje që të arrijë marrëveshje për koalicion, e të sigurojë numrat e nevojshëm për formim të qeverisë. Dorëzimi i propozimit për mandatar te presidenti Hashim Thaçi, u bë pa marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e më këta të fundit nuk ka sinjale që mund të ketë lëvizje.Me propozimin e emrit për mandatar nga Lëvizja Vetëvendosje, zyrtarisht ka filluar edhe afati prej 15 ditësh që kjo parti ka për të siguruar votat e nevojshme për krijimin e qeverisë së ardhshme.

Kushtetuta e Kosovës e saktëson se kandidati për kryeminsitër, pas dekretimit nga presidenti i shtetit, ka kohë jo më vonë se 15 ditë që të paraqes përbërjen e qeverisë para Kuvendit të Kosovës.

“Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”, shkruhet në Kushtetutë.

Rrjedhimisht, deri më 5 shtator, LV-ja ka kohë që të merret vesh me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ose të shkojë në seancë pa pasur 61 votat që i duhen për të formuar qeverinë.

Në rast se Kurti nuk siguron këto vota, atëherë, Thaçi brenda 10 ditëve emëron kandidatin tjetër brenda të njëjtës procedurë.

Në kushtetutë saktësohet se nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Derisa afati kohor ka filluar tashmë, Albin Kurtin ka treguar hendekun me LDK-në edhe njëherë sot me publikimin e video mesazhit të tretë. Ai e ka sqaruar edhe njëherë se nuk do të pranojnë kushtin e LDK-së, për të shkarkuar Glauk Konjufcën.

Lideri i LV-së u përkujdees që të tregojë se edhe pse është i hapur për gjetje të kompromisit, është qasja aktuale e LDK-së që nuk është e duhura.

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja deri më tani nuk kanë bërë të ditur nëse kanë caktuar ndonjë takim, megjithëse, Kurti tha se këto ditë do të takohet me pakicat.

Në anën tjetër, presidenti i vendit, pas propozimit të LV-së e ka ftuar sot në ora 12:00 në presidencë Kurtin, megjithëse nuk dihet nëse i njëjti do të shkojë për të pranuar dekretin./GazetaExpress

 

Fraksion.com