Pushimi i çështjes në gjykatë, Balla: Basha ka firmosur kontratat, anëtari i bandës së “KÇK” thotë se nuk ka provë
“Anëtari i bandës së “KÇK” në gjykatë guxon t’i bëjë shqiptarët, apo edhe organet e drejtësisë në vendet partnere, qorra, kur thotë se nuk ka provë se pagesat janë bërë nga Lulzim Basha”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke theksuar se “Lulzim Basha ka firmosur kontratat”.
Balla reagoi sërish sot pas vendimit të Gjykatës së Tiranës që pushoi çështjen për kryetarin e PD-së Lulzim Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD-së, ish-sekretarin e përgjithshëm të PD-së Arben Ristani dhe financierin e partisë Ilir Dervishi, të cilët ishin marrë të pandehur për lobimin 675.000 dollarë në SHBA.
Balla publikoi edhe njëherë dokumentin zyrtar të vendosur në dispozicion nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, që tregon të zezë mbi të bardhë, emër, mbiemër, firmë, numër pasaporte diplomatike të Lulzim Bashës.
“Madje Nikolas Muzin kërkon garanci të vijë dhe të dëshmojë para gjykatësit. Lexojeni vetë”, tha Balla.
Ai u shpreh se “aq e fortë qenka lidhja e anëtarit të bandës së “KÇK” në gjykatë me Lulzim Bashën, sa sot Luli nuk u ndje fare edhe për atë gënjeshtrën me Toyota, e ku gjyqtari i Lulit i fali të arrestuarit njëlloj siç fali edhe Lulin”.
“E çuditshme Lulzim, që të gjitha dosjet e tua, edhe dosjen “CEZ” të babait tënd politik Sali Berishës me Nuel Kalajn, i paska një gjyqtar i vetëm”, tha Balla.