AktualitetBota+Të fundit

Irani: Pasurimi i uraniumit në nivel më të lartë se përpara paktit bërthamor

Presidenti Hassan Rohani tha të enjten se Teherani po pasuron aktualisht më shumë uranium sesa përpara nënshkrimit të marrëveshjes bërthamore të 2015-s.

Presioni është rritur mbi Iranin, por ne vazhdojmë të përparojmë“, tha zoti Rohani në një fjalim televiziv më 16 janar. Vendi i ka hequr të gjitha kufizimet në prodhimin e uraniumit të pasuruar, i cili mund të përdoret ndër të tjera edhe për prodhimin e armëve bërthamore.

Irani i ka shkelur kufizimet e tij duke tejkaluar rezervat e ujit të rëndë, uraniumit, numrit dhe llojeve të centrifugave që mund të përdoren për të pasuruar uranium si dhe lidhur me pastërtinë e tij, kjo si përgjigje ndaj sanksioneve që Uashingtoni i rivendosi Teheranit pas vendimit të Presidentit Donald Trump për të larguar SHBA-në nga marrëveshja bërthamore, në vitin 2018.

Zoti Trump dëshiron që Teherani të negociojë një marrëveshje të re që do të vendosë kufizime të pacaktuara ndaj programit të tij bërthamor dhe programit të raketave balistike.

Pesë vendet e tjera që kanë mbetur ende pjesë e marrëveshjes, Britania, Franca Gjermania, Kina e Rusia janë zotuar ta mbajnë marrëveshjen gjallë.

Por partnerët evropianë nuk kanë qenë në gjendje t’i ofrojnë Teheranit një mënyrë për të shitur naftën e papërpunuar jashtë vendit gjë që ka sjellë zhvlerësim të monedhës iranine dhe rritje të inflacionit.

Britania, Franca dhe Gjermania kanë thënë se veprimet e Teheranit bien “në kundërshtim me dispozitat e marrëveshjes bërthamore” dhe se paraqesin “ndërlikime gjithnjë e më të rënda dhe e të pakthyeshme lidhur me përhapjen e armëve bërthamore”.

Ndërkohë të mërkurën gazeta “Washington Post” njoftoi se administrata Trump ka kërcënuar të vendosë një tarifë prej 25 për qind ndaj importeve evropiane të automobilave nëse Britania, Franca dhe Gjermania nuk e akuzojnë zyrtarisht Iranin për prishje të paktit bërthamor.

 

Fraksion.com