AktualitetBota+Të fundit

Ekonomia botërore me zhvillim të ngadaltë

Europa Lindore ka rritje më të madhe ekonomike se pjesa tjetër e Europës. Në Europë rritja ekonomike këtë vit dhe tjetrin pas tij do të jetë në nivelin mesatar, thotë OKB në raportin vjetor të zhvillimit ekonomik global.

Raporti mbi gjendjen dhe perspektivën e ekonomisë globale thotë se rritja ekonomike në botë ka qenë vitin që sapo përfundoi më e ulta e dekadës, 2,3 përqind, kurse këtë vit pritet të arrijë  2,5 përqind. Kjo nëse nuk shtohen rreziqet si konflikte tregtare, çrregullime financiare, tensione gjeopolitike. Në rastin më të keq, zhvillimi ekonomik i botës mund të arrijë sivjetnë 1,8 përqind.

Raporti u prezantua para gazetarëve në një konferencë shtypi në Nju Jork nga kryeekonomisti i OKB, Elliot Harris, dhe nga Dawn Holland, shefe e Sektorit për monitorimin e zhvillimit ekonomik.

Nëse gjendja e ekonomisë globale vazhdon të ketë rritje të ulët, atëherë mund të ketë kthim mbrapa në zhvillimin e qëndrushëm, ku bën pjesë reduktimi i varfërisë dhe krijimi i vendeve të punës për të gjithë. Rritja e pabarazive dhe kriza klimatike janë duke rritur hendekun midis vendeve në shumë pjesë të botës, thuhet në raport.

Perspektiva ekonomike në Europë

Europa pritet të ketë rritje të frenuar ekonomike 1, 6 përqind këtë vit dhe 1,7 përqind vitin e ardhshëm. Ndërkohë që rriten tensionet tregtare, eksportuesit përballen me tarifa të larta doganore, ulje kërkesash dhe politika të pasigurta. Këtyre u shtohen sfidat strukturore dhe ndryshimet në sektorë të rëndësishëm si për shembull në industrinë e automobilëve, ku janë vënë në dyshim modelet ekzistuese të biznesit dhe kërkohet që kompanitë dhe politikbërësit të zhvillojnë modele të reja ekonomike.

Gjithë këta faktorë rrisin peshën e eksporteve në aktivitetin ekonomik ndërkohë, që kërkesa e tregut të brendshëm mbeten shtylla kryesore e rritjes ekonomike. Papunësia e ulët, të ardhura solide nga pagat dhe stimujt shtesë do të mbështesin konsumin e madh të familjeve. Politikat monetare pritet të nxisin investimet në vend si për shembull në sektorin e ndërtimit të banesave, e cila ka efekte pozitive për shumë kompani të vogla dhe të mesme.

Megjithatë ambienti i jashtëm është bërë për këto vende shumë sfidues. Tensionet tregtare mund të kenë efekt tek eksportuesit europianë jo vetëm tek eksportet direkte por edhe tek eksportet e produkteve të huaja, si për shembull modele të caktuara makinash europiane prodhohen në SHBA për tu eksportuar në Kinë. Po ashtu dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE mbetet një çështje e pazgjidhur që mund të ketë pasoja negative në ekonominë reale dhe tregjet financiare. Një rrezik tjetër vjen nga politikat monetare. Banka Qendrore Europiane ka ulur sërish kursin duke nxitur edhe më shumë stimujt në përgjigje të inflacionit vazhdimisht të ulët dhe sfidave të ekonomisë globale.

Europa Lindore dhe Ballkani Perëndimor

Vendet e Baltikut, Europës Qendrore dhe Europës Lindore si dhe Ballkanit Perëndimor që kanë hyrë në BE në vitin 2004, që quhen vendet BE-11, pritet të kenë këtë vit dhe vitin e ardhshëm rritje më të madhe të prodhimit të brendshëm bruto se sa mesatarja e BE. Në disa nga këto vende rritja ekonomike vitin që shkoi arriti gati 4 përqind. Niveli i papunësisë në BE-11 ka rënë në nivele rekord dhe pagat reale janë rritur, gjë që rrit konsumin privat. Eksportet e sektorit të industrisë në Europën Lindore mbeten nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike.

Ekonomia e Europës Juglindore nuk ka patur rritje të madhe, megjithatë ka qenë e shëndetshme. Ritmi i zhvillimit ekonomik është ngadalësuar në vendet më të mëdha të SOE. Në vitin 2018 rritja e prodhimit energjetik në Shqipëri dhe të korrat e mbara në Serbi kontribuan për zhvillim të mirë ekonomik. Kërkesat e ulta nga partnerët kryesorë tregtarë në BE, kanë pasur ndikim frenues. Kërkesat e tregut të brendshëm po bëhen faktor i rëndësishëm në rajon. Paqartësitë e brendshme politike në Bosnjë dhe Hercegovinë cungojnë aktivitetet ekonomike dhe aksesin për të marrë financime nga jashtë. Në Maqedoninë e Veriut prodhimi u përshpejtua falë shtyrjes së shpenzimeve të kapitalit të vitit 2018. Kurse Mali i Zi pati rënie të mëdha në investime.

Në Serbi rritja e pagave dhe pensioneve, e rrogave të sektorit publik dhe e rrogës minimale së bashku me rritjen e shpenzimeve qeveritare mund të nxisë rritjen ekonomike nga 3 deri 4 përqind. Rritje e ngjashtme ekonomike pritet edhe në vende të tjera të rajonit. Prodhimi i përgjithshëm bruto në Europën Juglindore parashikohet të jetë 3,4 përqind në vitin 2020 dhe 2021.

Në Shqipëri rritja e vlerës së monedhës e ka mbajtur inflacionin të ulët. Në Mal të Zi rritja e taksës jodirekte shkaktoi rënie të inflacionit. Në Serbi, inflacioni ka mbetur brenda objektivave. Inflacioni i ulët ka bërë që politikat monetare të mbeten të përshtatshme.

Tregu i punës në rajon ka mbetur në gjendje të vështirë, megjithë progresin e arritur në vitet e fundit. Niveli i lartë i papunësisë, veçanërisht në Bosnjë Hercegovinë, shoqërohet nga pabarazia gjinore në tregun e punës dhe nga mungesa e punonjësve të specializuar. Pjesa joformale e ekonomisë vazhdon të jetë e madhe, duke mos i lejuar qeverisë të rrisë të ardhurat nga taksat.

Borxhet publike janë të larta në pjesën më të madhe të vendeve të rajonit, megjithëse është në ulje të vazhdueshme si rezultat i punës për konsolidimin e sistemit të taksave, përmirësimin e kushteve financiare dhe rritjen ekonomike. Ndërmarrjet shtetërore janë burime për rreziqe në sistemin fiskal./DW

 

Fraksion.com