Vetingu; “Sëmuren” dhe japin dorëheqjen anëtari i Kolegjit Zgjedhor dhe gjyqtarja e Sarandës
Ndërsa ‘kosa’ Vetingut po zbret në nivelet e ulëta të gjyqësorit, edhe gjashtë magjistratë kanë dhënë dorëheqjen nga funksioni i gjyqtarit gjatë ditëve të fundit të dhjetorit 2019 dhe ditëve të para të janarit 2020. Shqiptarja.com mëson se gjyqtarja e Sarandës Ketra Bajrami si dhe gjyqtari i Apelit në Gjirokastër Tomor Skreli kanë paraqitur dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, për arsye shëndetësore. Gjyqtari Shkreli ishte edhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor, madje relator i vendimit që rrëzoi Presidentin Ilir Meta, duke legjitimuar zgjedhjet e 30 qershorit. Dorëheqjen e ka dhënë edhe gjyqtarja pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Liljana Baku, jo për arsye shëndetësore, por për shkak të angazhimit në një pozicion pune jashtë sistemit gjyqësor. Tre kërkesat për t’u larguar nga sistemi janë miratuar në 10 dhjetor 2019 nga KLGJ, i cili ka vendosur mbarimin statusit të magjistratit për të tre gjyqtarët, shkruan shqiptarja.com.
Për gjyqtarin e Apelit Tomor Skreli procesi i verifikimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shkalla e parë e Vetingut, kishte nisur që në mars të vitit 2019. Ndërsa për gjyqtaren e Sarandës Ketra Bajrami procesi i verifikimit nga Komisioni i Vetingut ka nisur në nëntor 2019. Edhe për gjyqtaren e Krimeve të Rënda Liljana Baku procesi i Vetingut kishte nisur që në janar të vitit 2019. Por, për asnjërin nga tre gjyqtarët e vetëlarguar nga sistemi nuk ishte caktuar një datë nga KPK-ja për t’u njohur me rezultatet e Verifikimit. Në ditët në vijim, sipas një procedura të konsoliduar tashmë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pritet të vendosë ndërprerjen e procesit të Vetingut për të tre subjektet, bashkë me shënimin sipas të cilit ata nuk kanë të drejtë të bëhen pjesë e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.
Po gjatë muajit dhjetor 2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar edhe kërkesat për të dhënë dorëheqjen nga drejtësia të gjyqtarëve të Apelit të Tiranës, Agim Bendo dhe Astrit Haxhialushi, për të cilët kishte nisur procesi i Vetingut që në vitin 2018, por që nuk ishte caktuar një datë për ta, për t’u njohur me rezultat e hetimit. Dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor e kanë paraqitur edhe tre gjyqtarë të tjerë, të cilët kanë shërbyer në Gjykatën e Kavajës, në Gjykatën e Apelit në Shkodër dhe Gjykatën e Apelit në Korçë. Dorëheqjet e tyre janë miratuar nga KLGJ në datën 9 janar 2020. Nga janari 2016 deri në janar 2020, kanë dhënë dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë 24 gjyqtarë. Shumica e dorëheqjeve janë motivuar me arsye shëndetësore si dhe me punësimin në pozicione të tjera jashtë sistemit të drejtësisë.
Fraksion.com