Trump dhe Erdogan diskutojnë për Iranin, Sirinë dhe Libinë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan, diskutuan për Iranin, Sirinë dhe Libinë gjatë një bisede telefonike.
Të dyja vendet e konfirmuan bisedën, përmes komunikatave të ndara, mirëpo nuk dhanë më shumë hollësi.
Tensionet po rriten midis Perëndimit dhe Teheranit, pasi Irani pranoi se forcat e saj “pa dashje” qëlluan një aeroplan ukrainas më 8 janar, duke ngjallur zemërim anembanë botës, përfshirë mijëra iranianë që dolën në rrugë për të protestuar.
Ndërkohë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka planifikuar një takim me udhëheqësit e Turqisë, Rusisë, Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Kinës, Francës dhe Italisë, më 19 janar, për të diskutuar mbi konfliktin e armatosur në Libi.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, gjithashtu ka thënë se do të marrë pjesë në takim.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në fillim të janarit, tha se trupat turke kanë nisur të vendosen në Libi, pasi Parlamenti turk e miratoi një masë të tillë.
Erdogan tha se mision i tyre do të jetë sigurimi i stabilitetit për Qeverinë në Tripoli, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara.
Kjo qeveri po lufton një kryengritje të forcave rebele, të udhëhequra nga gjenerali Khalifa Haftar, me bazë në lindje të Libisë.
Haftar mbështetet nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Qeveria në Tripoli e ka mbështetjen e Turqisë dhe të aleates së saj, Katarit.
Disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, e kanë kundërshtuar ndërhyrjen e Turqisë në Libi.
Fraksion.com