AktualitetBota+Të fundit

SHBA-ja dhe Kina nënshkruajnë pjesën e parë të marrëveshjes tregtare

Shtetet e Bashkuara dhe Kina nënshkruan një marrëveshje fillestare tregtare të mërkurën për të zgjidhur disa nga çështjet në qendër të një ngërçi ekonomik që ka vazhduar mes dy ekonomive më të mëdha në botë për 18 muajt e fundit.

Duke folur në Uashington, presidenti amerikan Donald Trump tha se pakti do të ishte “transformues” për ekonominë e SHBA-së.

Zyrtarët e lartë kinezë e quajtën atë një marrëveshje të “fitores” që do të ndihmonte në forcimin e marrëdhënieve më të mira midis dy vendeve.

Kina është zotuar të rrisë importet e SHBA-së me 200 miliardë dollarë, mbi nivelet e vitit 2017, dhe të forcojë rregullat e pronësisë intelektuale.

Në këmbim, SHBA-ja ka rënë dakord të përgjysmojë disa nga tarifat e reja që ka vendosur për produktet kineze.

Presidenti Trump ka thënë në fund të vitit të kaluar, se ai pas nënshkrimit të marrëvëshjes së quajtur “Faza e Parë”, do të udhëtojë në Pekin për të filluar bisedimet për fazën tjetër të marrëveshjes.

Shtetet e Bashkuara filluan një luftë tregtare kundër Pekinit, një vit e gjysmë më parë, pasi e akuzuan për praktika të padrejta të tregtisë, të tilla si vjedhja e pronës intelektuale amerikane dhe subvencionet shtetërore të cilat i përfitojnë kompanitë kineze.

 

Fraksion.com