AktualitetTë fundit

Në vetëm 10 ditë, pranë zyrave të punës janë kryer 258 aplikime online

Në vetëm 10 ditë, pranë zyrave kombëtare të punësimit janë kryer 258 aplikime online nga qytetarët dhe punëmarrësit.

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen bëri të ditur se në të gjitha zyrat e punës janë 24 shërbime që tashmë kanë kaluar online.

“Në këtë periudhë ka patur rreth 258 aplikime online kryesisht për vendosjen e një takimi me specialistë të punësimit për tu regjistruar si punëkërkues i papunë, si dhe për pajisjen me të gjitha llojet e lejeve të punës”, deklaroi zv/ministrja nga njëra nga degët e zyrës së Punës në Tiranë.

Sipas Sorensen, duke u nisur nga numri i aplikimeve vërejmë se është pare me interes të madh nga ana e qytetarëve të aplikojnë online dhe më pas të vijnë për të tërhequr lejet e punës.

Por, online punëmarrësit mund të shpallin edhe vendet vakante të punës.

“Ne duam të ndërgjegjësojmë edhe punëdhënësit që të hyjnë në system, të regjistrohen e të shpallin të gjitha vendet e lira të punës online, pa qenë e nevojshme për të ardhur pranë zyrës së Punës për të kryer këtë process”, tha Sorensen.

Për të gjithë ata qytetarë që e kanë të pamundur marrjen online të këtij shërbimi, Zyrat e Punës kanë vendosur një specialist për tu ardhur në ndihmë atyre.

“Është vendosur një specialist i dedikuar që për të gjitha ata qytetarë që do të kenë nevojë për asistencë të kenë mundësi ta marrin pranë zyrave të Punës”, shpjegoi zv/ministrja.
Sipas saj ofrimi online i shërbimeve redukton kohën dhe koston për punëmarrësit e punëdhënësit.

“Është reduktuar dhe koha për dhënien e dokumentacionit për qytetarin. Një dokument që do ta kërkonte ministria e Shëndetësisë apo Sigurimet Shoqërore, qytetari detyrohej të vinte këtu ta merrte atë lloj konfirmimi. Sot nuk është më e nevojshme sepse e merr vet institucioni”, u shpreh Sorensen.

 

Fraksion.com