Kryemadhi: Jam për lista të hapura! Tryeza për reformën do të vijojë edhe për zgjedhjet e reja dhe ndryshimin e Kodit Penal
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi tha se është pro ndryshimit të sistemit dhe listave të hapura. Në një bashkëbisedim me gazetarët, Kryemadhi tha se listat e hapura mund të humbasin votat e partisë, por nga ana tjetër rrisin konkurrencën mes kandidatëve për deputetë.
Monika Kryemadhi tha se tryeza për reformën zgjedhore pas marrëveshjes politike për të bërë pjesë edhe opozitën jashtëparlamentare, në të ardhmen mund të shërbejë edhe për diskutime të tjera, sa i takon hapave për zgjedhjet e reja, por edhe për ndryshimin e Kodit Penal. Kjo do të shihet – tha Kryemadhi – nëse jep produktivitet me reformën zgjedhore.
“Reforma krijon hapësirën për të diskutuar edhe rregullime të ligjeve të tjera duke filluar tek kodi penale, agjenda e parë e kësaj tryeze dhe do të shohim sa produktive do të jetë, kjo tavolinë mund të vazhdojë edhe me diskutime të tjera, sa i përket hapave për zgjedhjeve të reja”, tha Kryemadhi.
Lideri demokrat Lulzim Basha ka deklaruar më herët se reforma zgjedhore është hapi për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me ato lokale, edhe pse theksoi se për këtë, nuk ka marrë garancinë e kryeministrit Edi Rama. Garancia që opozita e bashkuar ka marrë nga mazhoranca është miratimi me konsensus i reformëz zgjedhore pas daljes së një drafti final nga tryeza e diskutimeve që do të shkojë në seancë plenare brenda 15 marsit, pa ndryshime.
Fraksion.com