“Kërkonin treg për t’i shitur”; Dy lezhianët kapen me armë, drogë e municione
Dy persona janë arrestuar në Krubin pasi janë kapur me armë e lëndë narkotike. Të arrestuarit J. (K). Rr., 49 vjeç dhe E. Rr., 20 vjeç, banues në fshatin Zhejë, Kurbin mësohet se janë kushërinj me njëri tjetrin.
Sipas policisë pas informacioneve të marra për këta dy persona, kanë kryer kontroll në banesën e J. (K.) Rr, gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri tip automatik, një sasi municioni luftarak, 22 m fitil detonator zjarrpërcjellës dhe 15.5 kg lëndë narkotike kanabis.
Njoftimi:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Zheja”.
Goditet një tjetër rast i trafikimit të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.
Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin.
Sekuestrohen armë zjarri, lëndë narkotike, municion luftarak dhe fitil zjarrpërcjellës.
Vihen në pranga 2 shtetas.
Në zbatim të një ndër prioriteteve, atë të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy shtetas dispononin një sasi lëndë narkotike gati për ta shitur, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin Kurbin, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të “Zheja”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
J. (K). Rr., 49 vjeç dhe E. Rr., 20 vjeç, banues në fshatin Zhejë, Kurbin.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit J. (K.) Rr, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
Një armë zjarri tip automatik, një sasi municioni luftarak, 22 m fitil detonator zjarrpërcjellës dhe 15.5 kg lëndë narkotike, e dyshuar cannabis sativa.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin po kërkonin treg për të shitur lëndën narkotike.
Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”, në ngarkim të J. Rr. dhe për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve ”, kryer në bashkëpunim, për shtetasin E. Rr.
Fraksion.com