Takimin i 182 -të i Komitetit Ushtarak të NATO-s; Gjeneral Kollçaku falënderon aleatët për solidaritetin e ofruar pas tërmetit
Shefi i Shtabit të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, mori pjesë në Takimin e 182 të Komiteti Ushtarak të NATO, në Shtabin e NATO në Bruksel në 14-15 janar 2020.
Seancat e takimit u drejtuan nga Air Chief Marshal Sir Stuart Peach, kryetar i Komitetit Ushtarak, me mbështetjen e komandantit të Forcave Aleate në Europë (SACEUR) gjeneral Tod Wolters dhe komandantit të Lartë të Aleancës për Transformimin (SACT) gjeneral André Lanata.
Gjatë dy ditëve të takimit SHSHP diskutuan dhe shkëmbyen ide për një sërë çështjesh që lidhen me angazhimet operacionale aktuale të NATO (Resolute Support Mission, Misionin e NATO në Irak, Misionin e KFOR), gjenerimin e forcës, si dhe kërkesat për të ardhmen. Një vend të veçantë në takim zunë diskutimet mbi konceptin për parandalimin dhe mbrojtjen e hapësirës euro- Atlantike dhe konceptin e përgjithshëm të NATO për operacionet, koncepte të cilat rrjedhin nga strategjia ushtarake e NATO, e cila vendos prioritetet ushtarake si dhe qasjen e Aleancës mbi kërcënimet e së tashmes dhe të ardhmes. Gjithashtu, i ofron mundësi komandantëve të gjejnë zgjidhje në lidhje me ndryshimet në mjedisin e sigurisë.
Në një seancë të veçantë, shefat e shtabeve së bashku me partnerë dhe institucione që kanë interesa të përbashkëta në rajon siç janë Bashkimi Afrikan, Bashkimi Europian, dhe Kombet e Bashkuara, diskutuan dhe ofruan ide mbi mënyrën e përballjes me sfidat në Krahun Jugor të NATO.
Në fjalën e tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, fillimisht shprehu falënderimet për të gjithë pjesëmarrësit në konferencë për solidaritetin e ofruar për Shqipërinë pas tërmetit shkatërrues të nëntorit të kaluar. Lidhur me çështjet që u diskutuan gjatë takimit, shefi i Shtabit, në emër të FARSH, në seancën mbi Resolute Support Mission në Afganistan, shprehu mbështetjen për misionin dhe iniciativat e ndërmarra nga Aleanca, në të njëjtën kohë angazhimin e vendit tonë për të vazhduar kontributin me trupa në këtë mision.
Në seancën mbi misionin e KFOR, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, krahas vlerësimit të rëndësisë së këtij misioni për Kosovën, por edhe për rajonin, siguroi drejtuesit e NATO se FARSH do të vazhdojë kontributin në mbështetje të këtij misioni. Gjeneralbrigade Kollçaku me këtë rast falënderoi gjeneral major D’Addario për suksesin e tij gjatë ushtrimit të detyrës si komandant në KFOR, njëkohësisht shprehu besimin dhe mbështetjen për komandantin në detyrë, gjeneral major Risi, si dhe personelin që ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë në KFOR.
Komiteti Ushtarak i NATO në nivel shefash shtabi mblidhet dy herë në vit në shtabin e NATO në Bruksel, për të diskutuar mbi misionet dhe operacionet e NATO-s, si dhe për t’i ofruar Këshillit të Atlantikut Verior, këshillën ushtarake mbi një sërë sfidash që kërcënojnë sigurinë globale. Takimi i këtij niveli zhvillohet me rotacion një herë në vit në një nga vendet anëtare të Aleancës.
Fraksion.com