AktualitetPolitikëTë fundit

Tabaku: Qeveria ka reshtur së menduari për qytetarët e zakonshëm

Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku deklaroi sot se  1.5 mln shqiptarë jetojnë në varfëri dhe në kushte të mjerueshme dhe statistikat janë publikuar nga vetë qeveria.

“Shqiptarët janë përditë edhe më të varfër në bazë edhe të statistikave të prodhuara nga vetë qeveria. INSTAT raporton se konsumi për muajin dhjetor 2019, pra në pikun e festave, është 1.1%. Praktikisht 50 përqind më pak se vitin e kaluar që do te thotë se shqiptarët nuk kanë konsumuar. Aq pak të ardhura grumbullojnë shqiptarët sa që edhe në një muaj ku tradicionalisht shpenzojnë, kanë nxjerrë nga xhepi më pak se muaji tetor dhe nëntor. Mesatarisht konsumi për vitin 2019 është 1.4% një vlerë e barabartë me vitin 2000”, shprehet ajo.

Tabaku shton se “shqiptarët nuk konsumojnë se nuk kanë. Sot shqiptarët janë duke jetuar me pensione dhe Banka e Shqipërisë raporton se 30% e familjeve shqiptare jetojnë me pensione. Ndërsa familjet që kanë të ardhura të tjera nga puna, qiratë apo remitancat vijnë gjithnjë e në rënie. anë 1.5 mln shqiptarë që jetojnë në varfëri dhe shpenzojnë remitancat e emigrantëve  apo dhe pensionet e prindërve të tyre”.

Po ashtu Tabaku shprehet se “Shqipëria po varfërohet dhe zbrazet përditë e më shumë. Qeveria ka reshtur së menduari për qytetarët e zakonshëm, jeton në një realitet tjetër. Oferta e taksës së sheshtë 9%, incentivat në sektorët prioritarë dhe rritja e konsumit përmes rritjes së pagave dhe pensioneve janë domosdoshmëri. Shqipëria ka nevojë për një ndryshim rrënjësor se si qeveria trajton qytetarët dhe ekonominë. Diçka që kjo mazhorancë dhe ky kryeministër nuk kanë dashur ta bëjnë që ditën e parë që erdhën në pushtet”.

 

Fraksion.com